Palestinezët dhe izraelitët vajtojnë Marrëveshjen e Oslos
12 Shtator 2018Në shtator të vitit 1993 njerëzit në Izrael dhe territoret palestineze festonin me shpresën e sapofituar se brenda pesë viteve do të kishin një marrëveshje paqeje të përhershme. "Ne ishim duke ëndërruar, ne ishim duke luftuar", thotë Munther Amira, një aktivist palestinez tani në të 40-tat. "Ne donim paqe dhe të kishim shtetin tonë si çdo komb tjetër, të vendosnim vetë. Ne menduam se Oslo do i bëjë të gjithë këto gjëra për ne."
Oslo, shkurtimi për Marrëveshjen e Oslos, ndërmjetësuar nga Norvegjia dhe nënshkruar më 13 shtator 1993 midis qeverisë izraelite dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës, PLO, krijoi kuadrin për të zgjidhur konfliktin izraelito- palestinez. Në bazë të marrëveshjes u krijua një qeveri e përkohshme palestineze, Autoriteti Kombëtar Palesinez (PA) dhe u inicua tërheqja e Forcave Mbrojtëse Izraelite (IDF) nga Gaza dhe Xheriko, në Bregun Perëndimor të Lumit Jordan.
Oslo ishte vetëm për pesë vjet, vite gjatë të cilave do të negociohej një zgjidhje permanente që do të merrte parasysh refugjatët palestinezë, kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor, çështjen e Jeruzalemit si dhe kufijtë përfundimtarë dhe angazhimet për çështjet e sigurisë. "Ne menduam se do të kishim paqe. Ne festuam Oslon kur ishim të rinj, dhe filluam planet për të ardhmen tonë, sepse do të kishim paqe në këtë vend, dhe do të kishim zgjidhjen me dy shtete," thotë Amira.
Duke punuar si zyrtar i lartë i shtetit në zyrën e kryeministrit izraelit, Emanuel Shahaf, ndjeu shpresën që u përhap në gjithë Izraelin. "Njerëzit ndjenë vizionin që gjërat do të fillonin të ndryshonin, dhe më në fund po shkonin diku," i tha Shahaf Deutsche Welles.
Oslo është histori
Njëzetë e pesë vjet më vonë dhe konflikti Izrael Palestinë nuk është afruar me ndonjë zgjidhje, thotë Amira, "sepse ne nuk arritëm asgjë, përkundrazi." Brezi i ri i palestinezëve e sheh sot Oslon si gabim.
Ahmed Abu Mofeed, një student sociologjie 23 vjeçar në Universitetin e Birzeit në Bregun perëndimor tregon pakënaqësinë e tij. "Është gjoja marrëveshje paqeje, por unë do ta quaja marrëveshje për të hequr dorë nga shpresa dhe historia jonë e gjatë e durimit," i tha Abu Mofeed Deutsche Welles.
Edhe udhëheqësit aktualë palestinezë e kanë të vështirë të shohin cilat ishin të mirat e marrëveshjes. Anëtari i Komitetit Ekzkutiv të PLO, Hanan Ashrawi tregon disa arësye të ndryshme, përfshirë mungesën e monitorimit dhe kërkimit llogari Izraelit në kuadër të marrëveshjes. "Në vetvete është një marrëveshje me të meta fatale," i tha Ashrawi Deutsche Welles. Shahafi beson se Marrëveshja e Oslos ka qenë shumë e paqartë dhe me mungesë drejtimi për të çuar në diçka konkrete, megjithatë ishte një fillim pozitiv.
Dështim brenda pesë viteve
Ashrawi shikon mungesën e politikës të komunitetit ndërkombëtar për ta mbajtur Izraelin në procesin e paqes, si një shkak për dështimin e Oslos. "Duket se ka pasur mungesë dëshire nga ana e Izralit që në fillim, dhe ata donin të ruanin kontrollin e tyre," thotë Ashrawi.
"Ata e bënë këtë duke futur sistemin e autonomisë nën okupim," thotë ajo, duke iu referuar Autoriteteve Palestineze (PA), "ndërsa pushtimi u zgjerua për të ushtruar sovranitetin."
Amira beson se Izraeli nuk ka pasur kurrë si qëllim të lejonte shtetin e Palestinës. "Që nga fillimi ata nuk donin paqe. Ata duan siguri, që do të thotë se ata nuk duan të na kenë ne si fqinjë," thotë Amira. Ka pasur të paktën katër kryeministra izraelitë, Yitzhak Rabin, Shimon Peres, Ehud Barack and Ehud Olmert — që kur është firmosur Marrëveshja e Oslos, të cilët kanë qenë të sinqertë për zgjidhjen me dy shtete, thotë Emmanuel Navon, një bashkëpunëtor i Institutit për studimet strategjike në Jeruzalem. "Ata kanë bërë oferta shumë zemërgjera që përfshinin shtetin e Palestinës në pothuaj gjithë territoret e pretenduara nga palestinezët, përfshirë shpërbërjen e shumicës së vendbanimeve të kolonëve," thotë Navon. "Sikur të kishte qenë një udhëheqës palestinez në anën tjetër për ta pranuar ofertën, ata do të kishin tani një marrëveshje paqeje."
Mundësi e pakët për shtetin palestinez
Dy vjet mbas marrëveshjes fillestare, u firmos Oslo 2, që e ndante Bregun Perëndimor në tre pjesë, zonën A nën Autoritetin Palestinez, zonën B nën kontrollin e përbashkët palestinez dhe izraelit dhe zonën C, nën kontrollin e plotë të Izraelit. Oslo 2 ishte progresi i fundit i marrëveshjes fillestare. Tani, zona C përbën 60 përqind e Bregut perëndimor ndërkohë që zona A vetëm 18 përqind.
Izraeli përdori kontrollin mbi zonën C për të ngritur vendbanime, të cilat janë ilegale sipas ligjeve ndërkombëtare. 180 mijë deri 300 mijë palestinezë banojnë në zonën C. Ata janë më pak në numër se sa kolonët hebrej prej 325 mijësh dhe pengojnë krijimin e mundshëm të një shteti palestinez.
Ashrawi e ka të vështirë të flasë për këtë. "Kjo është një e drejtë të cilën unë nuk dua të heq dorë, sepse ne kemi të drejtë për sovranitet, paqe, dinjitet dhe vetë- vendosje," thotë ajo. "Por Izraeli është duke e shkatërruar këtë të drejtë dhe shpërbërë atë në mënyrë sistematike...dhe do të krijojë Izraelin e Madh në gjithë Palestinën historike."
Një studim i fundit nga Qendra palestineze për politikat dhe studimet (PSR) tregon se 56 përqind e palestinezëve besojnë se zgjidhja me dy shtete nuk është më e mundshme për shkak të zgjerimit të pushtimeve. "Çdo gjë që pushton Izraeli na bën ne të humbasim shpresën në gjetjen e një zgjidhjeve," thotë 22 vjeçari Rabah Khalil, një student i Universitetit Birzeit.
Kthim tek komuniteti ndërkombëtar
Ndërkohë që bota pret nga SHBA të sjellë "deal-in e shekullit" të shitur me të madhe nga presidenti Donald Trump si zgjidhje përfundimtare e konfliktit, udhëheqësit palestinezë kundërshtojnë të kenë Uashingtonin si mediator të procesit, në vigjilje të deklarimit nga SHBA të Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.
Ashrawi thotë se janë duke kërkuar për mediatorë alternativë dhe se bisedimet e ardhshme do të kenë një objektiv të qartë dhe një afat të detyrueshëm. "Është shumë e qartë se njëanshmëria amerikane është duke shkuar në partneritetin amerikan me Izraelin, the ata bashkëpunojnë me okupaorët," thotë Ashrawi. "Ju nuk mund të prisni që njerëzit e okupuar të negociojnë me okupatorët pa...balancuar fushat e lojës."
Shahaf nuk mendon se do të ketë "ndonjë deal, marrëveshje, bisedime, asgjë nuk do të ketë." "Do të ketë hapa të njëanshëm nga Izraeli, i cili përkrahet nga qeveria e SHBA, për të marrë Bregun Perëndimor," parashikon Shahaf.
Ashrawi thotë se qasja e PA dhe PLO u bazua në dhënien e përgjegjësisë Izraelit dhe përpjekjen për të forcuar palestinezët në gjithë botën. "Unë mendoj se pyetja është: Nëse Izraeli është duke shkatërruar zgjidhjen me dy shtete, si mund të angazhohet dhe ndërhyjë komuniteti ndërkombëtar me gjithë sistemin e tij ligjor dhe sistemin e kërkimit të llogarisë për t' i dhënë fund mosndëshkimit të Izraelit dhe dhunës së Izraelit?" pyet Ashrawi.
Khalil beson se zgjidhja kryesore për komunitetin ndërkombëtar është të ndërhyjë: "Ne mendojmë se komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë përgjegjësinë për të luftuar për çështjen tonë në bazë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave ndërkombëtare".