1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo konvoit me ndihma humanitare nga Rusia

PP (dpa, DW, Reuters)12 Gusht 2014

Në mëngjes u nis nga Rusia në drejtim të Ukrainës një autokolonë me 280 kamionë me ushqime, ilaçe dhe ujë të pijshëm. Kryqi i Kuq i befasuar.

https://p.dw.com/p/1Ct9S
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ukraina nuk dëshiron ta lejojë konvoin me ndihma humanitare nga Rusia që të hyjë në vend. Një zëdhënës i Këshillit të Sigurimit Kombëtar në Kiev tha se ky vendim është marrë për shkak se transporti i ndihmave humanitare nuk po bëhet, siç ishte rënë dakord nën udhëheqjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Presidenti rus Vladimir Putin i kishte premtuar në një bisedë telefonike presidentit të Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso, se misioni humanitar në Ukrainën lindore do të koordinohet me Kryqin e Kuq.

Asnjë informacion

Kryqi i Kuq njoftoi se deri tani nuk ka marrë ndonjë informacion në lidhje me përmbajtjen e ngarkesës dhe destinacionin e konvoit. Përfaqësuesi i Kryqit të Kuq, Andre Loersch, tha në intervistë për Deutsche Welle-n: "Në fakt mes të gjitha palëve kishte një marrëveshje në parim se Rusia do t'i çonte ndihmat humanitare në Ukrainë me ndihmën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Pra këto ndihma do t'i dorëzohen Kryqit të Kuq dhe ky do t'i shpërndajë në Unkrainë. Ne u përpoqëm të merrnim nga qeveria ruse një listë konkrete të furnizimeve që ata vinin në dispozicion, qoftë ilaçe, ushqime apo gjëra të tjera - por ne deri tani nuk kemi marrë asgjë. Pra ne u befasuam shumë kur morëm lajmin që konvoi i ndihmave do të organizohet dhe niset nga Rusia."

Logo IKRK
Fotografi: picture-alliance/dpa

Mosbesim nga Ukraina dhe Perëndimi

Në mëngjes u nis nga Rusia në drejtim të Ukrainës një autokolonë me 280 kamionë, që sipas njoftimeve të palës ruse transportojnë ndër të tjera ushqime, ilaçe dhe ujë të pijshëm. Për shkak të ashpërsimit të luftimeve mungesë ushqimesh dhe uji ka sidomos në qendrat kryesore të separatistët prorusë, Donetsk dhe Luhansk.

Russischer Hilfskonvoi für die Ukraine 12.08.2014
Fotografi: picture-alliance/dpa

Qeveria ukrainase njoftoi se do të lejojë hyrjen e ndihmave që gjenden në kamionët e konvoit, vetëm nëse ngarkesa e plotë e tyre do të ringarkohet në kufi në kamionë të Kryqit të Kuq.

Qeveria e Ukrainës dhe qeveri të vendeve perëndimore kanë shprehur frikën se Rusia mund të fusë me autokolonën humanitare edhe ushtarë apo armë kontrabandë në zonat ku gjenden separatistë prorusë në Lindje të Ukrainës.