"Për Trumpin rëndësi ka Irani"
13 Prill 2018DW: Presidenti amerikan Trump thotë se SHBA nuk e përjashton asnjë mundësi pas sulmit me helm në qytetin sirian Duma. Çfarë mundësish mund të përdoren në këtë rast?
Josef Braml: Unë mendoj se do të ketë sulme ajrore amerikane në Siri. Por për dallim prej sulmeve para një viti - edhe asokohe ka pasur sulme amerikane pas përdorimit të armëve kimike në Siri - kësaj radhe sulmet nuk do të jenë vetëm simbolike. Para një viti Trumpi deshi të tregonte se nuk është marionetë e Rusisë. Por njëkohësisht donte që sulmet të mos kenë ndonjë efekt tepër të madh, ndaj u ka treguar më parë rusëve, të cilët kanë njoftuar Sirinë për sulmet. Kësaj radhe nuk do të ketë njoftime të mëparshme.
Trumpi ka kërcënuar se aleatët e qeverisë siriane "do të paguajnë një çmim të lartë". Pse duhet të kenë frikë Rusia dhe Irani ?
Në radhë të parë Irani duhet të përgatitet, sepse ai është në shënjestër të SHBA-së edhe për shkaqe të tjera. Forcat siriane që mbështeten nga Irani, sipas të gjitha gjasave, do të bombardohen. Amerika do të ndërpresë edhe urën ajrore për furnizime, e cila pjesërish kalon mbi territorin e Irakut.
Po a ka shanse për aksione kundër Rusisë?
Ato do të jenë minimale. Trumpi tek çështja e Rusisë do të përdorë shumë më pak mjete ushtarake dhe më shumë sanksionet ekonomike, me qëllim që të mos shtohet kundër tij presioni brenda vendit. Kjo sepse kundër Trumpit në SHBA ende po vazhdojnë hetimet e drejtuara nga hetuesi i posaçëm Robert Mueller.
A mund të shihet ndonjë strategji afatgjatë e qeverisë amerikane në Siri?
Po, me siguri. Hipoteza ime është se për SHBA-në më shumë rëndësi ka Irani. Dhe sa më shumë që Trumpi ngushtohet në planin e brendshëm politik, aq më i lartë do të jetë rreziku nga një luftë kundër Iranit. Ne nuk duhet të harrojmë se në nëntor kemi zgjedhjet për Kongres. Skenari më i keq për Trumpin do të ishte që të humbasë shumicën në të dyja dhomat. Në këtë rast atij do t'i ndihmonte lufta kundër një armiku të jashtëm, sepse kjo i ofron më shumë mbështetje të brendshme. Kështu ka vepruar edhe George W. Bush pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Dr. Josef Braml është ekspert amerikan në Shoqatën Gjermane për Politikë të Jashtme dhe autori i librit "Amerika e Trumpit - çmimi i lirisë". Aktualisht boton analiza në "usaexperte.com".
Intervistoi: Ines Eisele