1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

221208 Belgien Regierungskrise

Christopher Plass22 Dhjetor 2008

Kryeministri i Belgjikës, Lëtermë paraqiti të premten dorëheqjen. Më parë, gjykata më e lartë pati deklaruar se ka të dhëna se nga radhët e qeverisë janë bërë përpjekje për të shitur bankën më të madhe belge.

https://p.dw.com/p/GLKU
Kryeministri Iv Lëtermë ka ofruar dorëheqjenFotografi: AP

Kur mbreti i Belgjikës mban në televizion fjalimin për Krishtlindjet, ai gjen vend, krahas fjalëve në frëngjisht dhe holandisht, edhe për disa fjalë fjalë gjermanisht. Në fund të fundit, edhe gjermanishtja është një nga gjuhët e Belgjikës:

"Krishtlindje të gëzuara dhe një vit të ri shumë të lumtur! u uroi Alberti i Dytë bashkëatdhetarëve të tij gjermanë në vitin 2007. Të hënën (22.12), monarku duhet të kishte regjistruar sipas planit fjalimin e sivjetëm televiziv. Por data e regjistrimit u shty për natën e Krishtlindjeve. Për aq kohë sa nuk është zgjidhur kriza aktuale e qeverisë, mbretit i mungojnë për fjalimin e tij fjalë kyçe të rëndësishme.

E qartë sot është vetëm një gjë: Belgjika do të ketë një kryeministër të ri. Kryeministri Iv Lëtermë (Leterme), i cili ofroi të premten dorëheqjen, deklaroi tani se ai nuk dëshiron të luajë ndonjë rol në qeverinë e re belge. Mbreti Albert II vërtet që nuk e ka pranuar zyrtarisht dorëheqjen e tij, por Lëtermë krijoi nga ana e tij fakte të kryera.

Belgien Parlament in Brüssel
Parlamenti belg në BrukselFotografi: picture-alliance/ dpa

Spekulime për kryeministrin e ri

Pyetja që shtrohet në këtë situatë është se kë do të ngarkonte mbreti me krijimin e qeverisë. Të dielën pasdite Alberti i Dytë priti kryetaren e Kristjandemokratëve flamandë, Mariane Tysen. Lëtermë vjen nga partia e saj, dhe me sa duket andej do të jetë edhe pasardhësi i tij në post. Mediet belge spekuluan të dielën gjerësisht për ofrimin e postit veteranit kristjandemokrat të politikës, Zhan- Lyk Dehane (Dehaene). 68 vjeçari drejtoi midis viteve 1992 dhe 1999 qeveri të ndryshme - me sukses të ndryshëm - dhe aktualisht ndodhet në Parlamentin e Evropës. Ai konsiderohet si njeri që ua del mbanë punëve dhe i rrahur me të gjitha ujrat politikisht - veç kësaj ai ka me sa duket edhe besimin e monarkut.

Veç Dehanes, në fundjavë u përmendën si kandidatë nga partia e tij edhe kristjandemokrati Herman Van Rompui (Rompuy), kryetari aktual i parlamentit dhe ish-kryeministri Gi Ferhofshtat (Verhofstadt) nga liberalët flamandë. Ferhofshtati, ashtu si dhe Dehane konsiderohen si menaxherë të suksessshëm krizash, të cilët mund t'i duhen vendit në këtë situatë.

Njëkohësisht shtrohet edhe pyetja, nëse koalicioni aktual pesëpartiak do të mbetet i pandryshuar në formën që ka. Në parlament ky koalicion ka një shumicë të rehatshme, por brenda tij ai nuk është shumë i qëndrushëm. Në Bruksel thuhet se kandidati Zhan Lyk Dehane është në dispozicion vetëm si shef i një qeverie tranzitore. Kjo mund të ketë kuptimin që belgët të zgjedhin në 7 qershor të vitit që vjen jo vetëm parlamente rajonale dhe parlamentin evropian, por edhe një parlament të ri federal.