1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ka forca të interesuara për destabilizimin e Kosovës

24 Prill 2012

Deputeti i Parlamentit Evropian, Bernd Posselt (CSU) thotë se Eulexi në Kosovë nuk është në krye të detyrës dhe është i zhgënjyer prej tij. Më tej ai thotë se Kosova ofron të drejtat më të mira për pakicat në botë.

https://p.dw.com/p/14kLT
Bernd Posselt, deputet i Parlamentit Evropian
Bernd Posselt, deputet i Parlamentit EvropianFotografi: dapd

DW: Zoti Posselt, veriu i Kosovës ka qenë që prej përfundimit të luftës një vatër konflikti për Kosovën. Javët e fundit vërehet një përshkallëzim i gjendjes. Gjermania ka reaguar duke dërguar ushtarë në Veriun e Kosovës, mbrëmë (23.04.) në Shqipëri kanë shkuar ushtarë amerikanë. Çfarë mund të pritet në Kosovë?

Posselt: Unë isha para 14 ditëve për herë të fundit në Mitrovicë, ku u takova me kryebashkiakun e Mitrovicës (Avni Kastrati - plotësim i redaksisë) dhe me ministrin e Brendshëm të Kosovës (Bajram Rexhepi - plotësim i redaksisë). Ajo çfarë mund të them është se gjendja e sigurisë është jashtëzakonisht e ndieshme, pikërisht për shkak të faktit se forca të papërgjegjshme në Serbi dhe tek serbët e Mitrovicës po përpiqen që fushatën elektorale në Serbi ta nxehin me anë të temës së Mitrovicës. Për shkak të këtij rreziku, ku mbretëron një nervozitet i madh ndëretnik është me rëndësi që në këtë rajon të ketë të stacionuara trupa të mjaftueshme.

Kësaj i shtohet edhe fakti që Eulex-i, për fat të keq, nuk është në krye të detyrës. Parlamenti i Evropës e ka thënë gjithnjë shumë qartë, për herë të fundit para disa javësh në raportin tonë, se ne duam që Eulex-i të operojë në masë të njëjtë në të gjithë territorin shtetëror të Kosovës, sepse për ne nuk vjen në konsideratë ndarja apo diçka e ngjashme. Veriu i Kosovës dhe veriu i Mitrovicës janë po aq Kosovë sa janë edhe pjesët e tjera të vendit. Për fat të keq realiteti nuk është ende i tillë dhe ne jemi të zhgënjyer me efikasitetin e Eulex-it prandaj është me rëndësi shtimi i trupave.

DW: Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi ka deklaruara para pak kohësh se në rast nevoje veriu i Kosovës do të mbrohet edhe me përdorimin e forcës. Sa seriozisht duhet marrë një deklaratë e tillë?

Posselt: Nuk bëhet fjalë për mbrojtjen - në rast nevoje - me forcë të veriut të Kosovës, askush nuk dëshiron që të kërcënojë me përdorimin e forcës apo eskalimin e dhunës. As qeveria e Kosovës nuk e dëshiron absolutisht një gjë të tillë. Unë këtë e kuptoj si një dëshirë për ta bërë të qartë se integriteti territorial i Kosovës nuk duhet të vihet në pikëpyetje. Nëse këtu do të fillohej që të mbështeten planet për ndarje, ndarje e cila refuzohet fuqishëm nga Parlamenti i Evropës, atëherë do të hapen edhe tema të tjera tek vendet fqinje të cilat do ta destabilizonin sërish tërë Ballkanin. Kjo është diçka çfarë ne nuk e duam prandaj planet e ndarjes duhet të largohen nga tavolina.

Shumica e serbëve në Kosovë është e gatshme që të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive. Ekziston një zëvendëskryeministër serb, nënkryetari i parlamentit është serb, ka kryetarë të komunave serbe të cilët unë i kam vizituar dhe vetë në Mitrovicë mund të konkludonim se në veriun e Mitrovicës shumë serbë në të vërtetë janë të gatshëm për t'u integruar në Kosovë, por kanë frikë nga kriminelët dhe elementet nacionaliste nga të cilët terrorizohen.

DW: Mediet njoftojnë për shfaqjen e grupeve të armatosura si në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë, ashtu edhe në vet veriun e Kosovës. A mund të pritet ndonjë përkeqësim i pazakontë të gjendjes?

Bernd Posselt, CSU
Bernd Posselt, CSUFotografi: presse

Posselt: Ajo çfarë mund të them unë është se kosovarët janë duke u sjellë me përgjegjësi të lartë. Qeveria, opozita dhe po ashtu popullata është duke treguar një pjekuri të madhe politike dhe unë shpresoj që do të ruhet kjo pjekuri politike. Natyrisht që ekziston gjithmonë rreziku që grupe të vogla të keqpërdorin skajshëm situatën dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën, por edhe me Maqedoninë dhe disa pjesë të Serbisë. Në përgjithësi ne kemi një situatë shumë jostabile në Bosnjë e Hercegovinë, në Serbi, në disa pjesë të Kosovës dhe në Maqedoni dhe kjo në përgjithësi është një situatë që ka një rrezik të caktuar dhe unë shpresoj që kjo gjendje të mos shpërthejë. Ekzistojnë forca të cilat janë të interesuara në destabilizimin e gjendjes dhe në prapavijë përpiqen të destabilizojnë atë. Por unë shpresoj që këto forca nuk do të kenë sukses.

DW: Sipas jush, kush ka interes për destabilizimin e gjendjes?

Posselt: Ka shumë forca të cilat kanë interes për destabilzimin e Ballkanit. Unë për shembull këtu e shoh edhe anën ruse, pastaj shoh forca në botën islame, por të cilat në Kosovë nuk kanë fare rezonancë, por diku tjetër në rajon si për shembull në disa pjesë të Bosnjës, unë shoh forca në botën e kriminelëve, pra kemi forca të ndryshme.

DW: Udhëheqja politike në Serbi dëshiron që të mos organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë. Nga ana tjetër serbët lokalë i duan ato. A është ky mospajtim zyrtar, kjo ndarje e rrugëve e serbëve të Kosovës nga Beogradi kësaj radhe faktor qetësues apo më shumë shqetësues?

Posselt: Unë personalisht besoj që në interesin e serbëve të Mitrovicës është që ta kuptojnë se ata janë qytetarë të Kosovës. Kosova ofron të drejtat më të mira për pakicat në botë në bazë të Planit të Ahtisarit dhe Kushtetutës së Kosovës, të paktën në teori. Ka mandate të rezervuara në parlament. Po ta shohim gjendjen në Kosovë, ku kemi mandate të rezervuara për pakicën serbe dhe gjendjen në Serbi, ku ekziston rreziku që në Preshevë nuk do të zgjidhet më asnjë deputet shqiptar, atëherë më duhet të them se pakicat në Serbi do të ishin të gëzuara që të kishin standardet e njëjta si ato që kanë serbët në Kosovë. Prandaj dua t'i ftoj serbët e Kosovës që t'i shfrytëzojnë këto mundësi...

DW: Çfarë mund të bëjë Perëndimi për një gjendje stabile në Kosovë përveç dërgimit të trupave atje?

Posselt: Mund të bëhen shumë gjëra. Së pari serbëve duhet t'iu thuhet qartë se perspektiva e tyre evropiane varet nga zhvillimi i raporteve me Kosovën dhe se nuk duhet më që të vëjnë në pikëpyetje çështjen e kufirit. Edhe nëse aktualisht nuk mund ta njohin Kosovën formalisht, çështja e kufirit nuk duhet të vihet në pikëpyetje.

Pika e dytë është e qartë: ne duhet t'i themi një jo të qartë të gjitha planeve për ndarje. Çështja e statusit me njohjen pothuajse nga gjysma e shteteve të botës është përfundimisht e rregulluar dhe çdo diskutim për këtë çështje shkakton vetëm pasiguri. Ne duhet të angazhohemi që edhe pesë shtetet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën t'i bashkangjiten 22 shteteve të tjera.

Një pikë tjetër e rëndësishme është që edhe Eulex-i të punojë në masë të njëjtë në tërë territorin e Kosovës dhe ai të përqëndrohet në detyrat e tij. Ne aktualisht po vërejmë një rënie drastike të imazhit të Euleksit..."

Intervistoi Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti