110510 D Bundeskabinett Euro-Krise
12 Maj 2010Në thelb bëhet fjalë për mbrojtje nga risku prej 720 miliardë eurosh. Nëse kjo shumë do të nevojitet vërtet, aktualisht askush nuk mund ta vlerësojë me seriozitet. Vëllimi i mundshëm i kredisë përbëhet nga tri pjesë: 60 miliardë vihen në dispozicion nga BE-ja; paratë sigurohen nga buxheti i përbashkët i vendeve anëtare. Maksimalisht 440 miliardë euro duhet të vihen në dispozicion nga vendet e veçanta.
Sinjal për besim te stabiliteti i Euros
Pjesa e Gjermanisë bazuar në fuqinë e saj ekonomike do të ishte 28 për qind, ose 123 miliardë euro. Dhe së fundi FMN-ja do të kontribuonte në rast nevoje me 220 miliardë euro. Në mënyrë që Gjermania të marrë pjesë në formën e rënë dakord në të ashtuquajturën 'parashutë e euros', duhet të miratohet një ligj përkatës. Projektligjin e miratoi qeveria gjermane nën drejtimin e kancelares Angela Merkel në një takim të kabinetit të martën (11.5.). Një nga zëdhënësit e qeverisë, Christoph Steegmans, deklaroi:
"Këto masa dërgojnë një sinjal të qartë se tregjet financiare mund të kenë besim tek stabiliteti financiar në Eurozonë dhe se spekulimet kundër saj nuk janë me fitim."
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Michael Offer, shpjegoi se si do të funksiononte në rast nevoje transferta financiare për vendet në nevojë të Eurozonës:
"BE do të merrte kredi. Kreditë do të ripaguhen nën kushte të rrepta, në mënyrë që nga kredimarrja të prekej vetëm buxheti i BE-së. Me sa shoh unë deri tani shtetet e veçanta nuk do të prekeshin prej saj."
'Ne mbrojmë paratë e njerëzve në Gjermani'
Kancelarja Angela Merkel i mbrojti masat e ndërmarra nga qeveria gjermane, duke iu përgjigjur kritikave që kanë ardhur edhe nga radhët e veta. Vetëm pak orë pas takimit të ministrave të financave të BE-së, kancelarja gjermane e cilësoi paketën e shpëtimit "një rast unik në historinë e euros dhe BE-së":
"Në mbrojmë monedhën tonë në një situatë të jashtëzakonshme. Ose mund t'ua shpjegoja kështu qytetarëve: ne mbrojmë paratë e njerëzve në Gjermani."
Aksioni i shpëtimit të euros do të kalojë rrugën e zakonshme legjislative. Nëse socialdemokratët si forca më e madhe opozitare do të votojnë për ligjin është ende e hapur. Në votimin për ndihmën për Greqinë socialdemokratët abstenuan pasi qeveria nuk ishte e gatshme të pranonte vendosjen e një taske mbi transaksionet financiare. Edhe miratimin për paketën e shpëtimit për euron ajo pritet ta kushtëzojë me këtë kërkesë. Ka të ngjarë që Partia Socialdemokrate këtë herë të ketë edhe mbështetje nga kampi i partive qeverisëse. Disa politikanë konservatorë janë ndërkohë të gatshëm të pranojnë taksën mbi transaksionet financiare. Vetëm demokratët e lirë të partnerit në koalicion FDP vazhdojnë ta refuzojnë kategorikisht këtë taksë.
Autor: Marcel Fürstenau/ Eliana Xhani
Redaktoi: Auron Dodi