Kafeja - Energji për njeriun dhe plagë për mjedisin
Për gjermanët s'ka pije më të preferuar se kafeja - sade, pa apo me qumësht, pa apo me sheqer e rëndësishme është që të konsumohen sa më shumë filxhana në ditë. A është kjo e shëndetshme për njeriun dhe për mjedisin?
Pija e preferuar e gjermanëve
Jo birra, por në fakt kafeja është pija e preferuar e gjermanëve! Çdo gjerman pi rreth 149 litra kafe në vit, që do të thotë gati tre filxhana në ditë. Vendin e dytë e zë uji, kurse birrën me sa duket gjermanët nuk po e preferojnë më si më parë, sepse konsumi i saj është në rënie. Por sidoqoftë përkthyer në shifra, konsumi i birrës tek gjermanët është afro 100 litra për frymë në vit.
Efekt stimulues në trup dhe në tru
Kafeja përmban kofeinë. Kjo substancë kimike intensifikon ritmin e rrahjeve të zemrës, zgjeron enët e gjakut në trup, por ngushton ato në kokë. Kofeina shton energjinë, rrit efikasitetin dhe përqëndrimin dhe të mban më gjatë zgjuar. Por kafeja të bëhet edhe ves, kjo simptomë shfaqet me dhimbje koke, kur nuk pi kafe.
Imazhi negativ për kafenë nuk përputhet me vlerat reale të saj
Kafeja nuk është e dëmshme për shëndetin, përkundrazi pirja e katër apo më shumë filxhanave kafe në ditë të bën mirë, sipas Organizatës se kujdesit shëndetësor "Kryqi i gjelbër gjerman". Kjo për faktin, se kafeja i gjallëron organet. Në bazë të studimeve të fundit: kafeja ul rrezikun ndaj sëmundjeve si ceroza, alzheimeri dhe parkinsoni.
Gjithçka nis me qershinë e kafesë
Kafeja e ka origjinën nga Etiopia në Lindje të Afrikës. Atje kaçubet e kafesë rriten deri në lartësinë prej katër metrash. Ato formojnë frutin, një njihet si qershia e kafesë dhe derisa fruti piqet e ndryshon ngjyrën nga e gjelbër, në të verdhë e në fund bëhet e kuqe. Ky frut përmban dy fara, pra kafenë.
Korrja dhe përgatitja
Qershitë e kafesë vilen kryesisht me dorë dhe më pas thahen. Për t'u tharë ato lihen për disa javë në Diell duke u përzierë rregullisht për t'u kthyer nga të gjitha anët. Ose ato pastrohen me ujë dhe i nënshtrohen procesit të fermentimit derisa fara të shkëputet prej masës së frutit. Kësisoj në fund mbetet vetëm fara e kafesë.
Kafeja është gati!
Pas tharjes, farave duhet t'u hiqet edhe një cipë e hollë. E pas kësaj ato piqen dhe bluhen. Në varësi të bimës enmërtohet edhe lloji i kafesë, si për shembull : "kafe-arabica" vjen nga bima "coffea-arabica", ose "kafe–robusta" nga "coffea canephora".
Brazili eksportuesi më i madh i kafesë
Druri i kafesë ka nevojë për një klimë konstante pa temperatura me luahtje ekstreme nga ngrica në vapë. Kafeja mbillet kryesisht në vendet ekuatoriale në mbarë botën. Prodhuesi kryesor i kafesë padyshim është Brazili, i pasuar nga Vietnami dhe Kolumbia.
Hamburgu - Qendra e importit
Çdo vit vilen rreth tetë milionë ton kafe në të gjithë botën. Pjesa më e madhe exportohet. Porti i Hamburgut është qendra më e madhe e importit të lëndës së parë të kafesë për tregun gjerman, skandinav dhe tregun e Europës Lindore.
Keq për biodiversitetin
Tradicionalisht bima e kafesë është mbjellë gjithnjë nën hijen e pemëve të mëdha. Në këtë mënyrë janë ruajtur mjedisi natyror dhe biodiversiteti. Por, konsumimi i kafesë po shënon rritje në gjithë botën. Për të rritur rendimentin e prodhimit, shumica e pronarëve të plantacioneve po e kultivojnë kafenë si monokulturë.
Alternativë: Kafeja ekologjike
Në shumë vende zonat pyjore po shpërbëhen për t'i hapur vend plantacioneve të reja për kultivimin e kafesë. Por nga përdorimi i pesticideve dhe herbicideve për të shmangur nga plantacionet parazitët dhe barërat e këqia dëmtohet mjedisi. Kafeja ekologjike është një alternativë më e favorshme për mjedisin, por kuota e saj në treg është ende shumë e ulët.
Mbrojtje për kafenë e egër
Kafeja kultivohet në mbarë botën, por për ironi "kafeja e egër", e cila gjendet në Etiopi kërcënohet të zhduket. Ajo rritet në pyje ku bie shumë shi, në rajonin Kaffa, por atje ajo vuan prej shpyllëzimit pa kriter. Përmes programesh të ndryshme synohet që të ruhet ekzistenca e kësaj kafeje.
Kafe për të regjurit mirë
Njëra ndër kafetë më të shtrenjta, "Black Ivory Coffe" (kafeja fildishi i zi), vjen nga Tajlanda. Kokrrat e kësaj kafeje përpara se të piqen kalojnë nëpër zorrët e një elefanti. Kokrrat që i rezistojnë qarkullimit në procesin e përpunimit organik në trupin e elefantit përzgjidhen më pas nga jashtëqitja e tij. E pra kujt i pëlqen kjo, i bëftë mirë...