1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kamala Harris mbledh 81 milionë dollarë brenda 24 orësh

23 Korrik 2024

Ekipi elektoral i Kamala Harris mblodhi 81 milionë dollarë donacione brenda vetëm 24 orësh. Gjithnjë e më shumë demokratë amerikanë po mbështesin zëvendësen e Bidenit.

https://p.dw.com/p/4ibws
Kamala Harris  dhe ekipi i fushatës "Harris për President"
Ekipi i fushatës së Joe Bidenit e ka ndryshuar tani emrin në "Harris për President"Fotografi: Susan Walsh/AP Photo/picture alliance

Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, ka marrë miliona dollarë donacione për fushatën e saj elektorale. Brenda vetëm 24 orësh pasi ajo shpalli zyrtarisht se synon të zgjidhet si kandidatja presidenciale e demokratëve, ekipi i saj elektoral njoftoi se ka marrë 81 milionë dollarë donacione nga më shumë se 888,000 donatorë.

Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris
Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala HarrisFotografi: Alex Brandon/AP/picture alliance

Harris mbështetet tani tek ekipi i fushatës së Joe Bidenit, i cili e ka ndryshuar tani emrin në "Harris për President". Në një e-mail Bideni u kërkoi mbështetësve të tij që të dhurojnë për fushatën e Kamala Harris.

Pelosi mbështet Harris

Ish-kryetarja me ndikim e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, njoftoi se mbështet zëvendëspresidenten Kamala Harris si kandidate e demokratëve për presidente.

 Nancy Pelosi
Nancy Pelosi Fotografi: THOMAS KIENZLE/AFP/Getty Images

Më parë ajo nuk kishte bërë asnjë deklaratë mbështetjeje për Harris. "Politikisht, nuk ka dyshim se si grua në politikë Kamala Harris është brilante dhe e zgjuar dhe kam besim të plotë se ajo do të na çojë drejt fitores në nëntor," deklaroi Pelosi.

Tre guvernatorë të tjerë për Harris

Pasi presidenti amerikan Joe Biden u tërhoq nga gara për një mandat tjetër, gjithnjë e më shumë demokratë amerikanë po mbështesin zëvendësen e tij Kamala Harris. Kandidaturën e Harris e mbështet tani edhe guvernatori i Illinois J.B. Pritzker. Sipërmarrësi miliarder shkroi në Platformën X se është krenar që mbështet Zëvendëspresidenten Harris për Presidente të Shteteve të Bashkuara.

Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer
Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen WhitmerFotografi: Ryan Garza/USA TODAY Network/IMAGO

Edhe guvernatori i Maryland-it, Wes Moore dhe guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer, e cila gjithashtu konsiderohej herë pas here si kandidate, i premtuan tani mbështetjen e tyre Harris. "Le ta fitojmë këtë garë, Kamala Harris!" shkroi ajo në X, ku postoi një deklaratë në të cilën shprehte mbështetjen e saj për zëvendëspresidenten.