Kartmonedha të reja 10 euroshe
13 Janar 2014Romantika mbetet: edhe në bankënotat e reja 10 euro paraqitet një hark fiktiv në stilin romantik të ndërtimit. Ndryshe kartmonedhat e reja, që do të përfundojnë nga 13.01.2014, në portofolë dhe banakë dyqanesh në eurozonë, kanë disa ndryshime.
Shkaqet kryesore për futjen e një bankënote të re sipas Bankës Qendrore Evropiane janë një siguri më e madhe ndaj falsifikimeve dhe një jetëgjatësi më e lartë e kartmonedhave. Vititn e kaluar BQE pati filluar ndërrimin e karmonedhave pesëeuroshe. Tani radhën e kanë kartmonedhat dhjetëeuroshe. Më pas do të pasojnë edhe ato 20, 50, 100, 200 dhe 500 euroshe.
"Seria Europa" i ka quajtur BQE kartmonedhat e reja. Shkak për këtë është një protret i formës mitologjike të Evropës, i cili shihet në kartmonedha si një karakteristikë sigurie shtesë. Portreti i paraqitur është marrë nga një vazo rreth 2000 vjet e vjetër nga jugu i Italisë. Ai paraqitet si filigramë dhe si hologramë.
Karakteristika të reja sigurie
Por krahas Evropës ka edhe karakteristika të tjera, që duhet të rrisin sigurinë nga falsifikimet. Kështu anët e kartmonedhës janë pajisur me linja relievi që ndihen me prekje. Nëse kalon gishtin mbi to, ndien një gudulisje të lehtë në lëkurë. Veç kësaj vlera nominale e kartmonedhës në pjesën e përparme reflekton dritën që bie mbi të.
BQE përpiqet kështu të jetë një hap përpara falsifikuesve të parasë, edhe pse sasia e parave fallco në qarkullim nuk është shtuar vitet e fundit. Por ajo që është përmirësuar është cilësia e falsifikimeve, shpjegon Leo Kleinhans nga Zyra Federale e Kriminalistikës (BKA): "Kur euro u fut në qarkullim në 2002, pati menjëherë kriminalitet të lidhur me paratë e falsifikuara, por ato ishin kopje shumë primitive." Më vonë u zhvilluan metoda shtypje me të cilat paratë fallso i janë afruar gjithnjë e më shumë origjinalit.
Një gjë të ngjashme pret Kleinhans edhe me hedhjen në qarkullim të kartmonedhave të reja. Efekt të vërtetë do të ketë me hedhjen e kartmonedhave të reja 20 dhe 50 euro, pasi ato janë prerjet që fallsifikohen më shpesh.
Më shumë rezistencë
Krahas karakteristikave të përmirësuara të sigurisë, paraja e re para së gjithash duhet të jetë më e qëndrueshme - jo në vlerë, por në formë. Deri tani kartmonedhat e përhapura shumë me prerje të vogla (5, 10, 20 dhe 50 euro), të cilat ndërrojnë shpesh duar, kishin një jetëgjatësi mes 1 dhe 4 vjet. Më pas skartoheshin dhe asgjësoheshin. Kartmonedhat e reja janë punuar me një llak special, i cili duhet të rrisë rezistencën ndaj përdorimit.
Prej kësaj mund të përfitojnë të gjithë ata që duan të paguajnë në një automat me kartmodhenën e tyre. Shpesh automatët pranojnë vetëm kartmonedha në gjendje të mirë. Një ekzemplar shumë i konsumuar nuk pranohet nga automati.
Më shumë kohë për ndryshimin
Në mënyrë që të gjithë automatët të njohin kartmonedhat e reja, në aparatet e leximit duhet të instalohet një software i ri. Kjo është e kushtueshme dhe kërkon kohë. Ndryshimi tek kartmonedhat pesëeuroshe nuk ndodhi fare pa probleme. Në fillim jo të gjithë automatët i njihnin kartmonedhat e reja.
Në mënyrë që me kartmonedhat e reja dhjetëeuroshe të mos ketë vështirësi, Banka Federale Gjermane dhe BQE kanë zgjedhur tani një kohë më të gjatë, gjatë së cilës operatorët e automatëve të mësohen me kartmonedhat e reja dhe aparatet e leximit të riprogramohen. Herën e parë koha në dispozicion ishte vetëm pesë muaj, këtë herë nëntë muaj.