1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260511 Mladic Porträt

26 Maj 2011

Kur ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiq iu dorëzua Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi shumë shtruan pyetjen, se kur do të pasojë Ratko Mlladiq, Gjenerali i tij në kohën e luftës.

https://p.dw.com/p/11Olb
Ratko MlladiqFotografi: AP

Tani që Mlladiq u arrestua atij i duhet të përgjigjet para Tribunalit në Hagë. Lista e akuzave kundër Gjeneralit Ratko Mlladiq është e gjatë dhe përmbledh krimet më të rënda: Ai akuzohet nga Tribunali i Hagës për genocid, shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Mes prillit 1992 dhe korrikut 1995 ai me ushtrinë e tij të serbëve të Bosnjes duhet të ketë sulmuar, plaçkitur e shkatërruar qytete dhe fshatra në Bosnje-Hercegovinë. Shumë të vdekur, dëbime sistematike dhe përdhunime ndaj popullsisë jo serbe gjatë luftës shkojnë në llogari të tij. Përveç kësaj ai bëhet përegjegjës për rrethimin tetevjeçar dhe bombardimin e Sarajevës. Akuza e fundit, por jo më pak e rëndësishme, është edhe përgatitja e zbatimi i genocidit në korrik 1995 në Srebrenica: „...qëlloni vetëm ndaj mishit njerëzor! Vetëm ndaj mishit njerëzor! Ata nuk kanë asgjë, ata kanë vetëm disa pushkë të thjeshta, e kjo është e gjitha.“

Këtë urdhër ua dha Ratko Mlladiq me altoparlant ushtarëve të tij gjatë sulmit ndaj zonës së mbrojtur nga OKB-ja në Srebrenica. Ushtarët iu përgjigjën urdhërit të tij. 30.000 boshnjakë brenda pak ditëve u dëbuan nga shtëpitë e tyre, rreth 8.000 të rinj e burra u ekzekutuan dhe u hodhën nëpër varreza masive para syve të helmetkaltërve holandezë. Masakra më e madhe kjo në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Gjenerali Suprem Ratko Mlladiq si nacionalist i tërbuar ishte në pikën kulmore të pushtetit të tij. Ai e konsideronte veten si hakmarrësin e serbëve për sundimin shekullor të turqve në Ballkan.

Ratko Mladic Festnahme
Fotografi: AP

Karierë e nisur si një komunist i tërbuar

I lindur në vitin 1942 në Bosnjen lindore Mlladiq ishte vetëm dy vjeç kur babai i tij, një partizan i Titos u vra prej milicëve fashistë të ushtarëve kroatë. Më pas ai studioi në Akademinë Ushtarake jugosllave në Beograd, të cilën e përfundoi si i shkëlqyeri i klasës së tij. Në fillim të luftës në Kroaci në qershor 1992 Mlladiq si kolonel i Ushtrisë Jugosllave ai u bë komandant i Korpusit të 9-të në Knin. Detyra e tij ishte të organizonte milicët serbë. Nën komandën e tij u bombarduan qytetet Sibenik dhe Zadar dhe u dëbua popullsia kroate.

Në maj 1992 ai morri të njëjtën detyrë në Bosnje: Ndërkaq i graduar si Gjeneral, Mlladiq u bë komandant i trupave serbo-boshnjake dhe luftoi për bashkimin e territoreve të kontrolluara prej serbëve në Lindje dhe në Perëndim të Bosnjës. Personalisht ai ka dhënë urdhër për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës. Gjatë këtij operacioni, siç thoshte ai vet shpesh herë publikisht, duhet të sulmohen vetëm objektiva ushtarake. Por një regjistrim i thirrjes së tij me altoparlant flet për diçka tjetër: "Ju duhet të qëlloni ndaj godinës së presidiumit dhe parlamentit." - "Atje nuk ka shumë serbë. Ne do t' i shkatërrojmë boshnjakët."

Simboli i injorimit ndaj Perëndimit

Mlladiq për shumë vëzhues u kthye në figurën simbol të injorimit të Perëndimit prej serbëve. "Kufijtë vendosen gjithmonë me gjak dhe shtetet kufizohen me varre", është kjo një shprehje që i atrubuohet atij. Megjithëse zyrtarisht ishte vartës i udhëheqësit politik Radovan Karaxhiq, Ratko Mlladiq kishte influencë të fortë brenda udhëheqjes së serbëve të Bosnjes. Ai asnjëherë nuk ka qenë një ushtar i thjeshtë. Kështu ai e detyroi parlamentin serbo-boshnjak në vitin 1993 që të refuzojë Planin e Paqes të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë David Owen dhe Cyrus Vance.

Srebrencia
SrebrenicaFotografi: picture-alliance/dpa

Më 25 korrik 1995, para nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, Mlladiq bashkë me Karaxhiqin u akuzuan nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë për krime në Bosnje-Hercegovinë. Një vit më vonë Ratko Mlladiq u shkarkua prej presidentes së re të Republika Serbska, Biljana Plavsic, nga posti i shefit të shtabit të përgjithshëm. Ai doli në ilegalitet, e me sa duket u mbështet prej politikanëve dhe ushtrisë serbe. Atë e kanë parë nëpër restorante dhe nëpër stadiume.

Tani Mlladiq u arrestua. Kam gjithmonë me vete një tablet helmues, u ka thënë vazhdimisht ish-gjenerali përndjekësve të tij. Të gjallë nuk do t' më kapni. Tabletin megjithatë ai nuk e ka pirë. Vajza e tij në të kundërt vrau veten në vitin 1994, sepse ajo nuk mund t' i duronte më krimet e të jatit në Kroaci dhe në Bosnje-Hercegovinë. Aktin ajo e kreu pikërisht me pistoletën që i ishte dhuruar atij si kadeti më i mirë i vitit, kur ai përfundoi studimet në Akademinë Ushtarake.

Autor: Zoran Arbutina / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi