1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Katër të plagosur e një i vrarë në Heidelberg

24 Janar 2022

Policia në qytetin jugor të Gjermanisë Heidelberg ka nisur hetimet, pasi disa vetë u plagosën kur një person hapi zjarr brenda një sallë leksionesh. Një person ndërkohë vdiq nga plagët e marra.

https://p.dw.com/p/461G7
Heidelberg, Kampusi i Universitetit
Heidelberg, Kampusi i UniversitetitFotografi: Uwe Anspach/dpa/picture alliance

Agjencia e lajmeve dpa raporton se dorasi ishte student. Policia tha se ai hapi zjarr në një sallë leksionesh në shkollën e mjekësisë. Katër persona u plagosën. Sipas të dhënave fillestare, burri nuk kishte asnjë motiv politik apo fetar, u bë e ditur nga qarqet e sigurisë. Ai mbante disa armë të gjata. Sipas burimeve policore, më pas dorasi vrau veten. Megjithatë, ky informacion ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ende nuk është dhënë asnjë informacion për identitetin e të plagosurit dhe autorin e sulmit.

Heidelberg, Kampusi i Universitetit
Heidelberg, Kampusi i UniversitetitFotografi: Pr-Video|R.Priebe/dpa/picture alliance

Ndërkohë, njëra nga viktimat vdiq nga plagët e marra. Këtë e mësoi nga qarqet e sigurisë agjencia gjermane e lajmeve dpa.

Policia tha më tej se, "ne nuk besojmë se ka doras të tjerë." Si masë sigurie, kërkimet në vend po vazhdojnë. Siç raporton kanali televiziv Südwestrundfunk, pjesëtarët e një njësie të reagimit special po kontrollojnë ndërtesa të ndryshme.

Skena e krimit në lagjen Neuenheim të qytetit universitar të Heidelbergut në landin Baden-Württemberg është barrikaduar. Në kampusin Neuenheimer Feld, të vendosur në bregun verior të Neckar, ndodhen kryesisht fakultetet shkencore të universitetit, një pjesë e klinikës universitare dhe kopshti botanik.

Heidelberg, Kampusi i Universitetit
Fotografi: Daniel Roland/AFP/Getty Images

Universiteti u ka kërkuar studentëve të tij me email që të mos shkojnë në Neuenheimer Feld në këtë kohë. Forcat e sigurisë u kërkuan drejtuesve të automjeteve që të anashkalonin zonën gjerësisht për të lejuar që ndihma të qarkullonte lirshëm.

aud (dw, dpa)