1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kermabon: EULEX-i nuk zëvendëson UNMIK-un

Ajete Beqiraj7 Korrik 2008

Shefi i Misonit EULEX, Iv de Kermabon shprehet në Kosovë se EULEX do të funksionojë si një mision më vete dhe me një mandat të qartë.

https://p.dw.com/p/EXkf
Iv de KermabonFotografi: AP

Shefi i Misonit Evropian për Polici dhe Gjyqësinë në Kosovë, Iv de Kermabon, përsëriti se misioni që ai drejton nuk do të jetë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, por do të funksionojë si një mision në vete dhe me një mandat të qartë. EULEX-i nuk është këtu për te zëvendësuar UNMIK-un, tha ai. Kjo për faktin se ai është një mision me natyrë tjetër.

EULEX-i i pavarur

Kermabon: "Po bëjmë konsultimet e nevojshme me faktorin vendor dhe ndërkombëtar për të saktësuar fushat e veprimit. EULEX-i është këtu nën udhëheqjen e qartë evropiane dhe do të raportojë tek mekanizmat specifikë në Bruksel, të cilët merren me krizat civile në përbërje të 27 vendeve anëtare dhe para shefit Havier Solana .” Këto shefi i EULEX-it në Kosovë, Iv de Kermabon i deklaroi pas takimit me presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Duhen bërë përparime në sistemin e drejtësisë

I vetëdijshëm për sfidat që ka përpara misioni i ri civil ndërkombëtar në Kosovë, presidenti Sejdiu tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të zbatuar planin e Ahtisarit dhe në kuadër të tij, të avancojnë edhe sistemin e drejtësisë.

Presidenti Sejdiu vuri në dukje se do të ketë bashkëpunim me mekanizmat e tjerë për të bërë një reformë të mirëfilltë në drejtësi ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës.

Sa i përket themelimit të qeverisë së re në Beograd, si shefi Iv de Kermabo ashtu edhe presidenti Sejdiu, favorizuan ardhjen në krye të qeverisë së re të atyre forcave që kanë qasje proevropiane. Ndërkohë presideti Sejdiu kërkoi nga presidenti i Serbise, Boris Tadiç, që të dëshmojë në praktikë qasjet e deklaruara për politikat proevropiane.

Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon u takua edhe me Kryetarin e Kvuendit të Kosovës, Jakup Krasniqin. Pasdite ai takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.