Kermabon: Puna e EULEX-it nuk zbehet nga incidentet
26 Prill 2010Shefi i misionit EULEX, Yves de Kermabon, thotë se përfshirja e pjesatarëve të misionit EULEX në kontrabandë është një incident i papranueshëm për një mision që për synim ka vendosjen e rendit dhe ligjit. Por ai thotë se përfshirja e disa pjesëtarëve rumunë në kontrabandë dhe të cilët tashmë janë të larguar nga misioni, nuk do ta zbehë punën e misionit EULEX në Kosovë.
“Gjithmonë është e vështirë të pranohen incidente të tilla për një mision siç jemi ne, për vendosjen e rendit dhe ligjit. Mirëpo me lejoni të saktësoj se asnjë organizatë humanitare nuk është e përkryer. Veprimet e këqia të ndonjë pjesëtari të misionit EULEX nuk do të ndikojnë në punën tonë, sepse qytetarët e Kosovës e dinë mirë pse jemi këtu, si po punojmë dhe cili është qëllimi ynë. Pra nuk mendoj se rasti i përfshirjes së disa pjesëtarëve të misionit në kontrabandë do ta rrezikojë punën e EULEX-it. Sistemi i drejtësisë në Kosovë është një ndër fushat më të kritikuara në Kosovë. Shefi i misionit EULEX, Yves de Kermabon, pranon se në sistemin e drejtësisë në Kosovë ka korrupsion, mirëpo ai është i vendosur që ta luftojë atë.
“Vështirësitë më të mëdha në sistemin e drejtësisë janë mungesa e kompetencave, mungesa e aftësive dhe mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Përzgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve po vazhdon. Vështirësi tjetër është se kemi korrupsion në sistemin e drejtësisë dhe ne duhet ta luftojmë atë. Ju e dini se ne kemi përjashtuar disa gjyqtarë dhe prokurorë. Që të jetë një system funksional, sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet ta ketë besimin e qytetarëve të Kosovës, ndërsa, në anën tjetër gjyqtarët duhet të marrin vendime të rëndësishme në mënyrë profesionale dhe të goditet krimi dhe korrupsioni, thotë Yves de Kermabon.
Mirëpo, misioni EULEX, akoma nuk po arrin që të funksionalizojë gjykatat në veri të Kosovës, të cilat që nga shpallja e pavarësisë janë pothuaj jashtë funksionit.
“Jemi gati në finalizimin e kësaj çështjeje, pra të kthejmë gjyqtarë dhe prokurorë në gjykatën e qarkut në Mitrovicë. Ne tashmë kemi bërë disa propozime jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e Kosovës sic është Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe besoj se në ditët e ardhshme jo shumë larg do të kemi dy gjykatës serbë dhe dy gjykatës shqiptarë që do fillojnë punën në gjykatën në veri. Kjo është me rëndësi për të gjithë, sepse siç e dini situata me rendin dhe ligjin në Mitrovicë është shqetësuese për të gjithë”, thotë Yves de Kermabon. Shefi i misionit EULEX flet edhe për bisedimet, që po zhvillon me autoritetet e Beogradit dhe që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. Ai thotë se nuk po përpiqet që të ketë pajtimin e Beogradit për funksionalizimin e gjykatave në veri, por bisedimet kanë të bëjnë me arritjen e një protokolli, që ka të bëjë vetëm me çështje teknike.
Kontrolli në veri ekziston, ndonëse jo i plotë
“Nese dëshironi të jemi të efektshëm në luftën kundër krimit të organizuar, atë nuk mund ta luftojmë vetëm brenda Kosovës, por duhet të ketë lidhje rajonale që ta luftojmë dhe për atë duhet të ketë një marreveshje ndërmjet doganave, policisë dhe gjyqësisë. Prandaj neve na duhet të shkëmbejmë informata, të kordinohemi dhe për këtë arsye që nga fillimi kemi vendosur që të arrijmë marrëveshje teknike me të gjitha vendet e rajonit, në këtë kuadër edhe me Serbinë. Pra ideja është që të kemi disa marrëveshje teknike për doganat dhe për gjyqësinë në mënyrë që të jemi të efektshëm në luftën kundër krimit të organizuar. Këtë do ta bëjmë në transparencë të plotë duke folur me autoritetet në Prishtinë, poashtu edhe me autoritetet e Beogradit, sepse shkëmbimi i informatave për luftën kundër dukurive negative është në të mirë të të gjithëve”, thotë Yves de Kermabon. Shefi i misionit EULEX, pranon që doganat Kosovë-Serbi në veri të vendit akoma nuk janë plotësisht funksionale, mirëpo, ai beson se me një vullnet të mirë ato mund të funksionalizohen plotësisht.
“Në veri nuk ka kontroll të plotë doganor, por ka një kontroll. Ne jemi aty 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë me doganierë, policë doganorë dhe policë kufitarë ne i kontrollojmë të gjitha lëvizjet. Mallra që hyjnë nga Serbia në Kosovë regjistrohen nga doganierët e misionit EULEX, ndërsa ato vazhdojnë për në Mitrovicë në terminalin doganor dhe aty i nënshtrohen kontrollit të plotë doganor. Pra ajo që po bëjmë është se gradualisht po përpiqemi që kontrollin e plotë doganorë ta vendosim në pikat kufitare me Serbinë. Për këtë ne jemi në kontakt me autoritetet serbe, që të shkëmbejmë informacione, të arrijmë marrëveshje teknike, në mënyrë që ta parandalojmë kontrabandën dhe krimin e organizuar”, thotë Yves de Kermabon.
Autor: Bekim Shehu/Prishtinë
Redaktoi: Auron Dodi