1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KFOR-i largon një barrikadë të serbëve në veri të Kosovës

(dpa) / Esat Ahmeti31 Janar 2013

Trupa paqeruajtëse e KFOR- it, në mëngjes herët ka larguar një barrikadë betoni në rrugën magjistrale Mitrovicë - Leposaviq. Qindra serbë të alarmuar nuk kanë arritur ta pengojnë zhbllokimin e rrugës.

https://p.dw.com/p/17V4V
Die verschneite Stadt Kosovska Mitrovica im Kosovo. Hier ist die Brücke im Norden der Stadt zu sehen. Zugeliefert am 28.1.2013 durch Ivan Djerkovic. Coypright: DW/Zoran Vlaskovic
Kosovo Kosovska Mitrovica WinterFotografi: DW/Z. Vlaskovic

Forca të mëdha të trupës paqëruajtëse KFOR në Kosovë, kanë larguar të enjten (31.01.2013) pas mesnatës një barrikadë të serbëve në veri të Kosovës. Një numër i madh i ushtarëve të KFOR-it bashkë me makinerinë e tyre të rëndë, kanë larguar barrikadat e betonit në fshatin Rudarë të Zveqanit, duke hapur në këtë mënyrë magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, njoftojnë dëshmitarët okularë. Pasi rajoni ku do të kryhej aksioni për heqjen e barrikadës ishte rrethuar më parë nga forcat e shumta të KFOR-it, qindra serbë të alarmuar nuk kanë arritur ta pengojnë zhbllokimin e rrugës. Ushtarët e KFOR-it kishin bllokuar paraprakisht me tela me gjemba urën e hekurt në Zveqan për të penguar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve të tyre në drejtim të Rudarës. Sipas agjencive të lajmeve aksioni i KFOR-it ka përfunduar rreth orës 5:30, ndërsa nuk ka pasur ndonjë incident. Barrikada ishte ngritur nga serbët një javë më parë me qëllim për të penguar doganiertët dhe policët kosovarë që të shkojnë në pikat kufitare në veri të vendit.

Protesta në veri kundër kompromiseve të arritura në Bruksel

Një ditë më parë (të mërkurën, 30.01.) në veri të Mitrovicës disa mijëra serbë protestuan kundër kompromiseve të arritura mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Demonstruesit kërkuan që të anullohen të gjitha marrëveshjet e arritura dhe paralajmëruan ngritjen e barrikadave të reja. "Ne nuk duam shtet të Kosovës" dhe "Stop truqeve dhe mashtrimeve të Brukselit", mund të lexohej në parullat që mbanin në duar protestuesit. Kryesisht serbët në veri të Kosovës refuzojnë të paguajnë taksat doganore në pikëkalimet kufitare mes Serbisë dhe veriut të Kosovës, gjë për të cilën është rënë dakord në Bruksel.