1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina: Balanca e vështirë e Gjermanisë

16 Shtator 2021

Marrëdhëniet fitimprurëse ekonomike përballen me sisteme konkurruese. Gjermania është “mes dy zjarreve”. Aleati më i fuqishëm i Berlinit dhe partneri tregtar më i rëndësishëm janë drejt përplasjes - SHBA dhe Kina..

https://p.dw.com/p/40D0r
Symbolfoto US-Beziehungen
Fotografi: Dwi Anoraganingrum/Geisler-Fotopress/picture alliance

Historia e Gjermanisë dhe Kinës është një histori e balancimit të vlerave dhe interesave të tjera. Këto interesa janë kryesisht ekonomike - Kina ka qenë partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë që nga viti 2015. Pas shtatë vjetësh negociata, BE nënshkroi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Investimet(CAI) me Kinën në dhjetor 2020, kur Gjermania kishte presidencën e Këshillit të BE -së.

Tregu kinez me shumë gjasa do të rritet. Parashikimi është se në 10 vitet e ardhshme ai do të përbëjë 30 përqind të rritjes ekonomike globale.

Marrëdhënia mes Berlinit dhe Pekinit ka evoluar gjatë 16 viteve të drejtimit të kancelares Angela Merkel dhe ka marrë statusin e një "partneriteti strategjik gjithëpërfshirës". Kjo, edhe për faktin se asnjë nga problemet kryesore me të cilat përballet njerëzimi, siç janë ndryshimi i klimës dhe çarmatimi, nuk mund të zgjidhet pa Pekinin.

Për 10 vite, të dy vendet kanë mbajtur konsultime të rregullta ndërqeveritare. Rasti i fundit ishte në prill të këtij viti, i cili për shkak të pandemisë u zhvillua virtualisht.

Atmosfera ishte dukshëm e ftohur. Sepse ekziston një persekutim masiv i pakicës së ujgurëve në Xinjiang, ka shtypje të lëvizjes demokratike në Hong Kong, performancë agresive të Pekinit në Detin e Kinës Jugore, gjeste kërcënuese ndaj Tajvanit. Konflikti me Kinën po rritet. Shenja më e dukshme u dallua në mars, kur Bashkimi Europian vendosi sanksione ndaj Kinës, për shkelje të të drejtave të njeriut kundër ujgurëve. Kjo ishte hera e parë e rikthimit të sanksioneve, që nga masakra në sheshin Tiananmen të vitit 1989. Në këmbim, Kina vendosi sanksione ndaj anëtarëve të parlamentit të BE -së, zyrtarëve dhe akademikëve. Parlamenti Europian iu përgjigj duke "ngrirë” në maj ratifikimin e marrëveshjes CAI.

Autokraci e suksesshme

Në perspektivën e tij strategjike të marsit 2019, Komisioni Europian e përshkruan Kinën jo vetëm si një partner dhe konkurrent bashkëpunimi: Kina u konsiderua shprehimisht si një rival sistematik, por gjithashtu edhe një faktor kryesor global dhe fuqi drejtuese në teknologji.

Për një kohë të gjatë, në Perëndim supozohej se vetëm demokracitë dhe ekonomitë e tregut ishin në gjendje të krijonin prosperitet për një pjesë të madhe të popullsisë. Në Kinë mund të shihet se si, edhe në një autokraci komuniste, qindra miliona njerëz janë nxjerrë nga varfëria absolute dhe janë futur në klasën e mesme.

"Kjo është arsyeja pse Kina konsiderohet një model shumë joshës për shumë vende të botës," tha Heinrich Kreft për DW. Diplomati drejton Qendrën për Diplomaci në Universitetin Andrassy në Budapest. "Ne marrim parasysh," thotë Kreft, "se tani Kina është një aktor politik jashtëzakonisht i pranishëm në skenën botërore", edhe përmes nismës së saj globale të infrastrukturës "Belt and Road" (BRI). Diplomati përfundon: "Në thelb, të gjitha marrëdhëniet tona ndërkombëtare lidhen me Kinën."

Rregulla vetjake

Si një lojtare globale, Kina nuk po përshtatet më me rregullat e vendosura nga Perëndimi, thekson eksperti i Kinës me qendër në Berlin, Eberhard Sandschneider: "Kinezët vendosin rregullat e tyre". 

Deri në 100-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës më 2049, Kina dëshiron të jetë një fuqi e pjekur, socialiste moderne, me aftësinë për të vendosur dhe krijuar rregulla për të qenëekonomikisht dhe teknologjikisht në krye të botës. Me këtë, Kina dëshiron të kthehet në qendër të rendit botëror, shpjegon studiuesi i Kinës me bazë në Trier, Sebastian Heilmann në një intervistë për DW. "Dhe kjo, natyrisht, është në konflikt me fuqinë hegjemone të deritanishme, Shtetet e Bashkuara."

Konflikti mes fuqive të mëdha

Wang Jisi, president i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare dhe Strategjike në Universitetin e Pekinit, në edicionin korrik/gusht të revistës me ndikim "Foreign Affairs”, e përshkroi këtë konflikt: "Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë përfshirë në një garë që mund të rezultojë më e qëndrueshme dhe më e fortë se çdo garë tjetër ndërkombëtare në historinë moderne, përfshirë Luftën e Ftohtë ".

Dilema e Berlinit: kjo garë po zhvillohet midis aleatit të tij më të fuqishëm dhe partnerit më të rëndësishëm tregtar. Gjermania përballet me kërcënimin e kapjes mes fronteve, veçanërisht kur bëhet fjalë për teknologjinë.

"SHBA dëshiron të bëjë gjithçka për të parandaluar Kinën që ta kapërcejë atë në fushat kryesore teknologjike," theksoi eksperti amerikan Josef Braml për DW. "Të alarmuar, Shtetet e Bashkuara tani duan të pengojnë modernizimin ekonomik dhe ushtarak të Kinës. Kjo është arsyeja pse ata po mbështeten në një strategji të shkëputjes ekonomike - pa marrë parasysh kostot për Europën."

SHBA apo Kinë?

Me një politikë që përpiqet t'u shërbejë të dyja palëve, eksperti amerikan Braml pret që Berlini nuk do të jetë në gjendje ta mbajë veten të larguar përgjithmonë nga çështja: "Në luftën për sferat tekniko-politike të ndikimit, SHBA do të rrisë presionin mbi vendet e treta dhe t'i detyrojë ata të zgjedhin nëse do të bëjnë biznes me Amerikën ose Kinën."

Ndërvarësia ekonomike dhe ndarja mbarëbotërore e punës konsiderohen sot si një rrezik në të menduarit gjeo-ekonomik të fuqive botërore.

Si një fuqi ekonomike që mbështetet shumë tek eksportet, Gjermanisë do t'i duhet të gjejë një përgjigje për këtë situatë të re.