1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina, Rusia dhe Irani mbajnë manovra

27 Dhjetor 2019

Fuqitë e mëdha dhe Republika Islamike po tregojnë muskujt e tyre. Edhe nëse deklaratat zyrtare premtojnë vetëm mirë - ajo është demonstrim i qartë i fuqisë para rrugës së Hormuzit, vend delikat për eksportet e naftës.

https://p.dw.com/p/3VOWI
China | Zerstörer Xining im Hafen Qingdao
Fotografi: picture-alliance/dpa/Xinhua News Agency/L. Ziheng

Kina, Rusia dhe Irani kanë filluar një manovër të përbashkët detare në Gjirin e Omanit. Manovra katërditore shërben për thellimin e "shkëmbimit dhe të bashkëpunimit" midis forcave detare të tria vendeve, tha një zëdhënës i Ministrisë kineze të Mbrojtjes. Kina po merr pjesë në manovër me destrojerin "Xining". Zëdhënësi nuk dha informacione se sa ushtarë dhe anije marrin pjesë gjithsej në mision.

Situata në rajonin e Gjirit ka qenë jashtëzakonisht e tensionuar pasi Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Donald Trump e braktisën në vitin 2018 në mënyrë të njëanshme marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore me Iranin. Në përgjigje të politikës së "presionit maksimal" të Uashingtonit, Teherani filloi nga ana e tij të tërhiqet gradualisht nga marrëveshja. Kina dhe Rusia, si Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca, janë ndër partnerët e mbetur kontraktues.

Në muajt e fundit, situata në rajon është përkeqësuar më tej nga një seri sulmesh kundër cisternave të naftës në Gjirin Persik, nga lëshimi i një drone nga SHBA si dhe nga sulme me avionë pa pilotë dhe me raketa ndaj dy centraleve të rëndësishme të naftës në Arabinë Saudite. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj bëjnë për to përgjegjëse Iranin, por Teherani mohoi çdo përfshirje. Në përgjigje të sulmeve, Shtetet e Bashkuara formuan me disa aleatë një mision detar për të mbrojtur transportin detar.

China | Präsident Xi Jinping besucht Zerstörer Xining
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/Li Gang

Edhe Japonia po dërgon gjithashtu për herë të parë një destrojer dhe dy avionë zbulimi në rajonin e Gjirit për të mbrojtur anijet e saj tregtare dhe cisternat e naftës nga kërcënimet e mundshme. Kabineti i Tokios e kufizoi misionin në një vit. Megjithatë, japonezët nuk marrin pjesë në koalicionin e udhëhequr nga SHBA. Zona e operacioneve të marinë, sipas ministrisë së Mbrojtes është në Gjirin e Omanit, në pjesën veriore të Detit të Arabisë  dhe në Gjirin e Adenit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes. Marrëdhëniet tradicionalisht të mira me Iranin duhet të ruhen, u tha më tej në Japoni.

Gjiri i Omanit lidhet me Gjirin Persik nga një ngushticë: ngushtica e Hormuzit. Rreth një e treta e naftës së dërguar me anije transportohet përmes kësaj ngushtice. Një bllokadë - me të cilën Irani kërcënon në mënyrë të përsëritur - do të ngrinte menjëherë çmimin e naftës dhe do ta rëndonte në mënyrë të konsiderueshme ekonominë globale.

jj/ni (afp, rtr)