1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kiritkohet qëndrimi ndaj azilkërkuesve - Publikohet raporti mbi të drejtat e njeriut në Gjermani

Matias Berlinger21 Tetor 2006

Kur është fjala për shkeljen e të drejtave të njeriut rëndom janë të dyshuar Kina, Rusia, Birmania apo Iraku. E megjithatë edhe vende që nuk bien në sy duhet t´u nënshtrohen verifikimit të rregullt të situatës së të drejtave të njeriut. Për këtë arësye dy javët e fundit qëndroi në Gjermani Tomas Hamarberg, komisioneri për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës. Delegacioni udhëtoi në mbarë Gjermaninë për të verifikuar nëse ky vend i rrespekton të drejtat e njeriut. Se në ç´konkluzion është arritur....

https://p.dw.com/p/Aqyy

Me fjalë të qarta i ngarkuai i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Tomas Hamerberg, e ka kritikuar Gjermaninë për praktikën e trajtimit administrativ të azilkërkuesve, që u refuzohet azili dhe qëndrojnë me lejen e përkohshme të ashtuquajtur Duldung. Me këtë status qëndrojnë në Gjermani të gjithë ata që u është refuzuar kërkesa për azilim dhe që për arësye përndjekjeje nuk mund të riatdhesohen. Leja Duldung është e përkohshme dhe duhet rinovuar herë pas here brenda vitit dhe ata që kanë këtë status nuk lejohen të punojnë. Një situatë e tillë është një problem i rëndë thotë Hamarberg: "Ne shpresojmë vërtetë që ministrat e brendshëm në takimin në mes të nëntorit ta kuptojnë këtë problem dhe të ndryshojnë praktikën. Madje kjo duhet ndryshuar rrënjësisht. Situata duhet të dryshojë për të gjithë ata që kanë statusin Duldung dhe jo vetëm për ata që qëndrojnë prej gjashtë vjetësh në Gjermani."

Hamarberg kërkoi gjithashtu një kthesë në politikën e migracionit të shteteve evropiane. Dy javë delegacioni i Këshillit të Evropës udhëtoi nëpër Gjermani dhe vizitoi politikanë, punonjës të organizatave joqeveritare dhe burgjet. Ndër to edhe dy burgje ku mbahen të gjithë ata që presin riatdhesimin: "Njerëzit që mbahen nëpër këto burgje nuk janë kriminelë. Ndaj duhet të jetë e qartë, se ata s´duhet të trajtohen si të tillë. Periudha e një arresti të tillë duhet të jetë sa më e shkurtër."

Edhe lidhur me politikën e jashtme Hamerberg i parashtron kërkesa qeverisë, veçanërisht për vitin e ardhshëm kur Gjermania do të kryesojë presidencën gjashtëmujore të BE-së: "Ne i thamë ministrit të jashtëm Shteinmajer, se shpresojmë, që Evropa nën presidencën gjermane do të përdorë një ton tjetër ndaj qeverisë së ShBA , kur është fjala për shkeljen e të drejtave të njeriut në luftën kundër terrorizmit. ShBA gjatë pesë viteve të fundit i kanë anashkaluar masivisht standardet ndërkombëtare, ndaj ka ardhur koha që Evropa të reagojë."

Hamarberg ka pak shpresë tek Këshilli i sapokrijuar i të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së. Këshilli para një gjysmë viti zëvendësoi Komisionin e të Drejtave të Njeriut, që vitet e fundit u kritikua duke humbur prestigjin. "Nuk ka ndryshuar shumë. Komisioni i mëparshëm i të Drejtave të Njeriut u diskretitua, kryesisht sepse antarët e shfrytëzuan atë në aspektin politik. Problemi është se konstatimi i fakteve nuk duhet të ngatërrohet me diskutimin se si duhet reguar ndaj fakteve. Kjo ka ndodhur në komisionin e vjetër dhe duket se po përsëritet edhe tani."