Klasa integrative për fëmijët me sfond migrimi
4 Prill 2012Ora 13:38, dy minuta para fillimit të mësimit të pasdites në orën 13:40. Emily ha akullore. Mësuesi Carsten Kroppach hyn në klasë. Ai ka ardhur shumë herët, mendon vajza flokeverdhë. Rreth saj thërrasin e kërcejnë shumë fëmijë në klasën I. "I" është për integrativ, që do të thotë se në këtë klasë u jepet mësim krahas nxënësve të tjerë, edhe nxënësve, që kanë nevojë për ndihmë të posaçme në mësim. Në kuti të kuqe në raft janë emrat: Omer, Filip, Jasmin, Haszan, Lukas, dhe Ahmed. Fëmijët vrapojnë rreth tavolinave dhe i hedhin njëri-tjetrit një tufë çelsash. Top ata nuk kanë.
Carsten Kroppach godet dy herë me një shkop druri mbi zilen në tavolinën e mësuesit. Në klasë bie në një farë mase qetësi. Ai ngre krahun e tij të majtë në lartësinë e shpatullave. Fëmijët bëjnë të njëjtin gjest dhe presin, derisa Emily ta ketë ngrënë sa hap e mbyll sytë akulloren, që i ka mbetur. Një zile pushimi, që tregon fillimin dhe fundin e mësimit, nuk ka. Çdo orë mësimi fillon me një procedurë të pazakontë dhe përfundon në këtë mënyrë.
Problemet gjuhësore nuk e bëjnë një nxënës problematik
I pazakontë është edhe koncepti pedagogjik i shkollës së përgjithshme Bertolt Brecht. Ajo pranon çdo vit rreth 170 nxënës në klasën e pestë. 25 deri 30 përqind janë emigrantë, pra djem dhe vajza, nga të cilët së paku njëri prind nuk ka lindur në Gjermani. Margaret Ruhnke, zëvendësdrejtoreshë shkolle zemërohet për paragjykimet, që fëmijët me sfond emigracioni, konsiderohen si problem. Ka kohë që nuk është më kështu, që fëmijët nuk e flasin gjuhën.
Por për ata, që ende kanë probleme me gjuhën gjermane, ekziston një "klasë ndërkombëtare", ku mësohet në nivelet e të gjitha klasave. Veçanërisht gjuha gjermane është kryesorja në orarin e mësimt të 11 deri 16 vjeçarëve. Pas maksimumi një viti nxënësit janë aq mirë, saqë ata mund të kalojnë në një klasë normale të moshës së tyre.
Ritmin e të mësuarit e përcaktojnë nxënësit
Ora 14:07, shkencat natyrore. Në tryezë është një ndërtim eksperimental me kuba. Me një qiri fëmijët mund të testojnë hijet e kubave. Çdo nxënës i plotëson detyrat e obligueshme për optikën e syrit dhe mund të zgjidhë detyra shtesë. Ideja, se të gjithë duhet të bëjë të njëjtën gjë në të njëjtën kohë, nuk është më aktuale, thekson mësuesi Carsten Kroppach. Në vend të kësaj bëhen përpjekje, që çdo nxënës të merret parasysh si individ. Të mësuarit social për jetën e përditshme dhe për të ardhmen është qëllimi i shkollës.
Të mësuarit social nxitet me mësim të veçantë. "Klasat e integruara" mbështeten edhe nga një socialpedagog. Për më tepër bashkërendimi në shkollë është rregulluar me anë të kushtetutës së vetë shkollës, të cilën e kanë përpiluar së bashku nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Mbetje në klasë nuk ka. Në qoftë se fëmijët kanë nota të këqija, të gjithë mësuesit prindërit dhe fëmijët duhet të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, sqaron zëvendësdrejtoresha Ruhnke këtë parim.
Shumë kërkojnë të regjistrohen në këtë shkollë
Koncepti i suksesshëm i të mësuarit të përbashkët në shkollë është marrë vesh tani. Çdo vit duan të regjistrohen dy herë më shumë fëmijë, nga ç'mund të zërë shkolla. Përveç kësaj çdo javë dërgohen nxënës nga shkolla të tjera me kërkesë për t'u pranuar. Ata janë si të thuash "një shkollë riparimi", thotë Margaret Ruhnke. Por kapacitetet për të pranuar nxënësit e dërguar janë shumë të kufizuara
Mësimi eksperimental i pasdites
Ora 14:53, edhe rreth 15 minuta deri në mbylljen e shkollës në orën 15:10. Emily luan me modelin e një syri. Ajo e shtyn irisin pas kokërdhokut, lëviz me padurim në karrigen e saj dhe i hapet goja. Edhe fëmijët e tjerë në fund të ores të dyfishtë të mësimit bëhen shumë të shpërqëndruar. Dy djem përpiqen të hedhin topat me shuka letrash në koshin e plehut.
Në vend që të përgjigjej me ashpërsi pedagogjike, Carsten Kroppach dhe socialpedagogja Birgit Müller-Althoff e zgjidhin situatën nëpërmjet lojës. "Ne do të kërkojmë tani mbretëreshën dhe mbretin", u thotë mësuesi fëmijëve. Papritmas të gjithë janë zgjuar. Shpejt klasa shndërrohet në një karrocë pajton dhe nxënësit mund ta përfundojnë orën e mësimit pa u lënduar.
"Ne duhet të orientohemi nga nxënësit dhe jo vetëm të presim, që ato të përshtaten", e shpjegon Kroppach fundin me lojë të ditës së shkollës.
Autorin: Lotta Löffler/Angjelina Verbica
Redaktoi: Bahri Cani