1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koalicioni qeverisës i Marokut në krizë

li/wa (afp, dpa, rtr) / Esat Ahmeti10 Korrik 2013

Në Marok është shpërbërë koalicioni qeverisës i udhëhequr nga islamistët. Gjashtë ministra të Partisë Istiklal dhanë në Rabat dorëheqjen e tyre nga qeveria. Shkak janë gabimet e kryeministrit Benkirane.

https://p.dw.com/p/19578
Në foto: Abdelilah Benkirane
Në foto: Abdelilah BenkiraneFotografi: FADEL SENNA/AFP/Getty Images

Kryeministri islamist Abdelilah Benkirane (në foto lart) nuk është në gjendje të zgjidhë problemet ekonomike dhe sociale të vendit. Kjo është akuza e partnerit konservator-nacionalist të koalicionit.

Shefi i partisë Istiklal, Hamid Chabat kishte kritikuar kohët e fundit heqjen e subvencioneve qeveritare për karburant nga kryeministri. Një zëdhënës i partisë ka përmendur si arsye të tjera dallimet mbi kursimet e planifikuara në subvencionet ushqimore dhe masa tjera që do të prekin të varfërit. "Kryeministri Abdelilah Benkirane sillet si një kryetar i partisë dhe jo si kreu i një qeverie që përfaqëson popullin", kritikon Istiklal.

Mbreti duhet të miratojë dorëheqjet

Forca e dytë më e fortë politike në vendin e Afrikës Veriore u përpoq qysh në maj për t'u larguar nga qeveria. Në atë kohë, Mbreti Mohammed i VI-të megjithatë kishte refuzuar dorëheqjet e ministrave të partisë Istiklal.

Me 60 nga 395 deputetët e saj, Istiklal është pas Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të kryeministrit Benkirane, partia e dytë më e madhe në parlament. Asaj i takon ministria e Financave dhe drejtimi i pesë ministrive të tjera.

Në foto: Mbreti Mohammed i VI-të
Në foto: Mbreti Mohammed i VI-tëFotografi: AP

Mbreti Mohammed i VI-të tani duhet të pranojë dorëheqjen e gjashtë ministrave. Ai është autoriteti suprem në Marok. Nëse mbreti bie dakord kësaj radhe për dorëheqjet atëherë Benkirane do të detyrohet të kërkojë një partner tjetër për koalicionin e tij ose të planifikojë zgjedhje të parakohshme. Islamistët kanë ardhur në pushtet në kuadër të Pranverës Arabe në fund të vitit 2011.

Nën presionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), qeveria marokene dëshiron të reduktojë subvencionet për nevojat themelore të tilla si nafta, gazi, sheqeri dhe mallëra të tjera me rreth 20 për qind. Në vitin 2012 Maroku kishte ndarë 6.4 për qind të prodhimit të saj ekonomik për këto ndihma. Vitin e kaluar, Maroku përjetoi një zgjerim të deficitit buxhetor në 7.1 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB).