"Koha për zgjidhje"
14 Mars 2012Në shikim të parë gjithçka duket në rregull. Synimet e mileniumit për rrugët e furnizimit me ujë të pijshëm tashmë janë arritur në sajë të përmirësimeve të mëdha në dy vendet me popullsinë më të madhe në botë, në Indi dhe Kinë. Së paku nëntë nga dhjetë njerëz në mbarë botën sipas të dhënave të OKB-së, sot kanë ujë të pijshëm, që do të thotë dy miliardë njerëz më shumë se në vitin 1990.
Megjithatë sipas statistikave ende 11 për qind e popullsisë botërore vazhdon të pijë çdo ditë ujë të ndotur - që do të thotë 783 milionë njerëz. Sa i takon pajisjeve sanitare kjo është edhe më keq. Rreth 1,1 miliardë njerëz nuk kanë WC. Dhe çdo ditë vdesin 3000 fëmijë nga sëmundja e diarresë.
"Fshati i zgjidhjeve"
„Është koha për zgjidhje“. Për këtë arsye kjo është motoja e Konferencës së Gjashtë Botërore për ujin që ka nisur të hënën (12.03) punimet në Marsejë të Francës. Deri në fundjavë ministrat, përfaqësues firmash, organizatat qeveritare dhe joqeveritare e të tjerë, rreth 20. 000 pjesëmarrës, debatojnë mbi propozimet e tyre për një përmirësim të furnizimit me ujë të pijshëm dhe të pajisjeve sanitare si dhe prezantojnë po ashtu zgjidhjet për këto probleme. Takime të shumta, ekspozita dhe stenda panairi si dhe për herë të parë edhe „Fshati i zgjidhjeve“ me shembuj konkretë projektesh shoqërojnë programin zyrtar të kësaj konference.
Janë parashikuar rreth 800 orë debatesh dhe diskutimesh. Sidoqoftë: Që kjo nuk mund të vazhdojë si deri tani, për këtë të paktën të gjithë këtë herë janë në një mendje. Dhe për këtë arsye është një proces diskutimi interaktiv, ku marrin pjesë shume grupe të interesuara. Kjo është e rëndësishme, theksoi Beneditor Braga, president i Komitetit të Forumit Ndërkombëtar gjatë ceremonisë së hapjes së kësaj konference.
Autor: Agj/Kelmendi
Redaktoi: Lindita Arapi