Banka Gjermane si çështje politike
8 Tetor 2016Pas kolapsit të vlerës së aksioneve të Deutsche Bank-ës, në fund të shtatorit ajo u ndodh nën nivelin e dhjetë eurove - në ditët e para të tetorit kursi u ngjit sërish. Por nuk mund të flitet për qetësim të situatës. Në Uashington, ku këto ditë takohet elita financiare e botës, shtëpia bankare gjermane është temë numër një diskutimi. Të paktën pas perdeve. Por edhe në deklarata zyrtare: Deutsche Bank duhet t'i bëjë detyrat e saj të shtëpisë - ky është paralajmërimi që vjen nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Që të përmendësh një bankë të vetme: ky është një fenomen tepër i pazakonshëm. Menjëherë Berlini zyrtar u ankua në Uashington - gjë që nuk e bën më të mirë gjendjen.
Ku kemi mbërritur?
Në fund të fundit, aktualisht nuk po përpiqet vetëm shefi i Deutsche Bank, John Cryan, por edhe qeveria gjermane që ta ulë një gjobë prej 14 miliardë dollarësh me të cilën kërcënojnë autoritetet e SHBA. Argumenti kryesor: një dënim i tillë do ta rrënonte bankën. Por kjo do të linte gjurmë të qarta edhe në SHBA. Në Gjermani ndërkohë shefat e sipërmarrjeve të mëdha janë të shqetësuar për gjendjen e Deutsche Bank dhe bëjnë deklarata verbale në mbështetje të bankës. Në rast ekstrem, thuhet, nuk do të jepet ndihmë vetëm me fjalë, por edhe me para.
Sigurisht: nuk do të ishte me vend keqardhja. Deutsche Bank nuk është e vetmja që ndodhet në këtë gjendje modeste. Vetëm këtë javë, Commerzbank-a gjermane, hollandezja ING dhe spanjollja Banco Popular lajmëruan shkurtimin e gjithsej 20.000 vendeve të punës. Që prej shpërthimit të krizës financiare, bankat e Evropës kanë shkurtuar tashmë më shumë se 150.000 vende.
Kujt i nevojitet Deutsche Bank?
Dobësimi i shumë ekonomive popullore në Evropë për shkak të krizës financiare, ka çuar edhe në politikën e interesave bankare zero të Bankës Qendrore Evropiane. Interesat e ulëta bankare mund ta kenë penguar nga njër anë kolapsin ekonomik. Nga ana tjetër kemi një shpronësim gjigand të vlerës së parave të kursyera. Dhe natyrisht që pa interesa bankare bankat nuk janë vërtet në gjendje të mbijetojnë. Por: ja që atyre u duhet edhe një model biznesi i sigurtë për të ardhmen. Në rastin e Deutsche Bank-ës ky model mungon.
Përsa i përket Deutsche Bank-ës, këtu nevojitet tani një lëvizje çliruese. Për shembull një shkëputje e degës së investimeve. Ose shitja e administrit të pasurive. Ose, ose, ose. Banka duhet të arrijë më në fund që të kalojë në ofensivë. Ajo duhet të zhvillojë një profil të ri. Kanë nisur shumë procese, por në një anije të tillë të madhe natyrisht që duhet të kalojë shumë kohë sa të ndihet efekti. Por këtë kohë banka nuk e ka më. Lëngimi duhet të marrë fund. Përndryshe mbetet vetëm çështja: kujt i duhet në fakt kjo Deutsche Bank?