Gjermani: Një i ngarkuar për antisemitizmin, sinjali i duhur
18 Janar 2018Antisemitizmi shfaqet në shumë forma. Kjo është një dukuri e vjetër, që ka ekzistuar edhe në antikitet e po ashtu edhe në mesjetë, dhe që arriti një pikë apokaliptike me gjenocidin ndaj hebrejve në Europë nga nazistët. Antisemitizëm ka pasur gjithmonë edhe në Republikën e vjetër Federale të Gjermanisë dhe në Republikën Demokratike të Gjermanisë gjatë ndarjes, e në këtë drejtim nuk ka ndihmuar as sanksionimi në shtet. Ai shfaqet si kritikë ndaj globalizimit, ndaj gjoja supremacisë botërore të SHBA-së, Izraelit dhe komuniteteve hebreje. Ai është i motivuar si nga religjoni ashtu edhe në aspektin shoqëror, ai shfaqet edhe si relativizim i historisë. Ai ekziston në skajet e shoqërisë, por edhe në mesin qytetar të saj.
Gjithmonë ai shfaqet kryesisht tek ekstremi i djathtë
Në Gjermaninë e vitit 2018 antisemitizmi në radhë të parë shfaqet tek ekstremi i djathtë. Por kjo frymë është shtuar edhe me ardhjen e migrantëve nga hapësira arabe, synimi kryesor i të cilëve është të mohojnë të drejtën e ekzistencës së shtetit izraelit. Së fundi në Berlin e në qytete të tjera të Gjermanisë pas deklarimit të Donald Trump, se do ta zhvendosë në Jeruzalem ambasadën e SHBA-së, antisemitizmi u manifestua me djegien e Yllit të Davidit. Një ngjarje kjo e papranueshme sot në Gjermani 73 vjet pas Luftës së Dytë Botërore.
Antisemitizmi është forcuar sërish
Por nuk digjen vetëm flamuj. Anëtarët e komunitetit hebre njoftojnë, se hebrjetë në Gjermani po frikësohen gjithnjë e më shumë t'i përdorin hapur simbolet e tyre si yllin e Davidit. Ndaj është e nevojshme dhe e drejtë që pikërisht tani, politika vendos të japë një sinjal: CDU,CSU, SPD, FDP dhe ekolojgistët duan të angazhojnë një të ngarkuar për antisemitizmin, që do të mbledhë rastet, do të ndërmarrë nisma si p.sh. nëpër shkolla dhe që do të mund të sensibilizojë më fort për këtë temë në mjedisin politik. Një i ngarkuar i tillë do të bëjë gjithashtu të qartë, se politika e ka kuptuar, që antisemitizmi vitet e fundit është forcuar. Në kohën e rritjes së nacionalizmit dhe populizmit të djathtë thyhet edhe kjo tabu: anëtari i partisë së ekstremit të djathtë AfD Höcke guxon ta quajë si një "turp monumentin përkujtimor të Holokaustit" në Berlin dhe ai mbetet i pandëshkuar për këtë. E pra kjo frymë antisemitizmi tashmë është shfaqur hapur, por për ta trajtuar këtë problem në publik, do të ishte gjithashtu një detyrë e të ngarkuarit për antisemitizmin.
Të zbatohen ligjet me konseguencë?
Natyrisht edhe historiani Michael Wolffsohn ka të drejtë, kur thotë, se fobia ndaj hebrejve është mijëra vjet e vjetër; por në Gjermani ka ligje të qarta, që e dënojnë antisemitizmin, ndaj këto ligje duhet të zbatohen në mënyrë konseguente. Kjo është e drejtë - por kjo nuk bie ndesh me një të ngarkuar për antisemitizmin. Edhe kritika e të majtëve e anashkalon thelbin: të majtët druajnë, se detyra e të ngarkuarit të ri mund të jetë në radhë të parë t'u tërheqë vëmendjen migrantëve për antisemitizmin. Por ky është tjheshtë një supozim. Shumë do të varet nga personaliteti, i atij ose asaj që do ta mbulojë këtë post, në mënyrë që pikërisht kjo të mos ndodhë.
Eshtë dhe mbetet esenciale për Gjermaninë, që të ndjejë e ta jetojë turpin dhe përgjegjësinë për gjenocidin ndaj hebrejve, e aq më tepër tani kur së shpejti ndoshta nuk do të ketë mbetur më në jetë asnjëri prej dorasve të asaj kohe. Nëse në Gjermani sërish ka më shumë antisemitizëm, atëherë politika duhet të veprojë. Ajo po e bën këtë tani, e ky është sinjali i duhur.