1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Evropa bëhet qesharake

Zhang Danhong23 Qershor 2015

Drama për borxhet shtetërore të Greqisë po zgjatet. Për sa kohë do të lejojë BE që ta tërheqë për hunde Athina, pyet Zhang Danhong.

https://p.dw.com/p/1FmB3
EU Gipfel Riga Merkel mit Tsipras
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Jocard

Qeveria greke e arriti synimin e saj: një takim i nivelit të lartë të BE u thirr qëllimisht për këtë vend, për të diskutuar sërish për ofertën greke, sërish në minutën e fundit. Ajo fitoi sërish rreth një javë kohë. Koha është para. Në këtë rast kjo do të thotë se një javë pa dakordim mund t'i sjellë Athinës disa miliarda euro më shumë sasi për negociata. Vetëm javën e fundit, grekët tërhoqën nga llogaritë e tyre rreth pesë milionë euro dhe i siguruan ato. Në mënyrë që bankat greke të mos pësojnë kolaps, Banka Qendrore Evropiane e ngriti kuadrin e kredive të emergjencës ndërkohë në 90 miliardë euro. Po të dalë Greqia nga Eurozona, këto kredi emergjente ngelen në kurrizin e vendeve të tjera anëtare të euros. Me fjalë të tjera: sa më shumë zgjasin negociatat, aq më i madh bëhet rreziku i përgjegjësisë për partnerët e euros dhe aq më i fortë pushteti në negociata i qeverisë greke.

Janë dy zhvillime, që janë përforcuar muajt e fundit, dhe që i shkaktojnë dhimbje barku njeriut: nga njëra anë, një vend fare i parëndësishëm nga ana ekonomike arrin t'i bëjë presion të gjithë BE-së, nga ana tjetër, Banka Qendrore Evropiane i ngarkon me rreziqe gjithnjë e më të mëdha vendet e Eurozonës.

Zhang Danhong Kommentarbild App
Zhang Danhong

Të mundura këto zhvillime i kanë bërë gabimet e ndërtimit të euros. Bashkimi Monetar u krijua pa një karakter të një shteti federal. Janë shtete sovrane, me politikë të vetën ekonomike dhe fiskale, që ndajnë të njëjtën monedhë. Nuk ekziston as rregullore falimentimi ose rregullore daljeje nga ky bashkim monetar.

Suksesi i fillimit i Euros çoi në mendjemadhësi. Në pranimin e Greqisë në BE vërtet që shumë politikanë patën një ndjesi jo të mirë. Po edhe ata menduan: një ekonomi e tillë e vogël nuk do të arrijë ta trondisë eurozonën. Një vlerësim i gabuar, siç rezulton tani. Ka pesë vjet që BE mundohet me mjerimin ekonomik të Greqisë. As qeveria e re greke nuk ka plan për çlodhjen e ekonomisë greke. Clemens Fuest, Presidenti i Qendrës për Kërkimet Evropiane Ekonomike ka të drejtë kur thotë: Plani i Ciprasit është "vetëm punësimi i nëpunësve të tjerë civilë, shtetëzimi i sipërmarrjeve dhe bërja e qytetarëve të vendeve të tjera që t'i paguajnë këto."

Në vend që të negociojë edhe më tej me Athinën, elita politike e Eurozonës duhet të vrasë mendjen nëse ka ardhur koha për të hequr dorë nga parimi i pakthyeshmërisë së anëtarësimit. Po të largohet Greqia nga Eurozona, nuk do të nisë as fundi i monedhës së përbashkët, as do të shpërbëhet Evropa. Përkundrazi, pjesa që mbetet e Eurozonës mund të afrohet edhe më shumë dhe do të guxojë një hap më të madh integrimi. Greqia mbetet anëtare e BE dhe mund të hyjë në një periudhë të mëvonshme sërish në bashkimin monetar, kur shteti të jetë modernizuar dhe kur të jetë rivendosur aftësia për konkurrencë përmes mekanizmit të këmbimit të monedhës.

Por punët nuk duken kështu, Eurozona nuk e ka guximin për këtë. Kështu, bota shikon se si një vend i vogël si Greqia i bën shantazh dhe e paralizon Evropën.