1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Jo një “mrekulli në Teheran"

12 Qershor 2019

Udhëtimi i Heiko Maasit në Iran tregon se në Lindjen e Mesme Evropa luan jo më shumë sesa rolin e statistit dashamirës. Por megjithatë, këto përpjekje diplomatike janë të rëndësishme, mendon Matthias von Hein.

https://p.dw.com/p/3KAy3
Bundesaußenminister Heiko Maas in Teheran
Fotografi: picture-alliance/AA/Iranian Presidency

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë shkoi në Teheran me duar bosh. Po me duar bosh u kthye. "Mrekullia e Teheranit" nuk u bë realitet; as marrëveshja bërthamore nuk u shpëtua, as nuk u vendosën piketa të reja për qetësimin e gjendjes në rajon. Shpresa të tepruara nuk u lidhën që në krye me këtë "udhëtim në krizë", siç e quajti zëdhënësja e Maasit. Sepse përgjegjësja e mirëfilltë për përshkallëzimin e situatës në Gji nuk qe në tryezë gjatë bisedimeve: SHBA. 

Fushata e saj e "presionit maksimal", siç synohej, po ia zë frymën ekonomisë iraniane. Eksportet e naftës kanë rënë, inflacioni ka marrë përmasa galopante, monedha është në rënie të lirë. Në këtë situatë, në Republikën Iraniane rritet presioni në politikën e brendshme.

Rezultati: Irani po shkon gradualisht në fund të "durimit strategjik" të praktikuar deri tani. Teherani kërkon ndihmë konkrete kundër sanksioneve amerikane, apo edhe më mirë, heqjen e tyre. Përndryshe, që nga 7 korriku Teherani kërcënon të shkelë në mënyrë të dozuar detyrimet e tij sipas marrëveshjes bërthamore, veçanërisht duke e pasuruar uraniumin mbi nivelin e miratuar.

Evropianët nuk kanë asgjë për t'i ofruar Teheranit

Më shumë se bursën evropiane të këmbimit INSTEX, e cila u themelua në janar, për të anashkaluar sanksionet financiare amerikane, Heiko Maas nuk mundi të ofrojë. Deri tani, megjithatë nuk është kryer asnjë transaksion i vetëm nëpërmjet INSTEX-it. Evropianët vërtet kanë shkaqe të forta, me të cilat pohojnë përkushtimin ndaj marrëveshjes bërthamore. Por në përpjekjen për ta mbajtur gjallë marrëveshjen kundër dëshirës së administratës amerikane, ata bëjnë një figurë të pafuqishme. Sepse në këmbim të heqjes dorë në mënyrë të kontrolluar nga armët bërthamore, ata nuk mund ta ofrojnë shkëmbimin e premtuar ekonomik dhe tregtinë. Shumë e madhe është veçanërisht frika e bankave ose e sipërmarrjeve që investojnë në SHBA se mund të vihen në shënjestër të autoriteteve financiare të SHBA. 

Përveç kësaj, situata ndërlikohet nga fakti se Uashingtoni me sa duket nuk është i të njëjtit mendim për synimet që duhen ndjekur në Iran: ndryshimin e regjimit, siç përfytyron këshilltari i sigurisë John Bolton? Ose thjesht një "marrëveshje më të mirë" nga kryetari i marrëveshjeve, Presidenti i SHBA, Donald Trump?

Matthias von Hein
Matthias von Hein

Çdo kanal bisedimesh është i rëndësishëm

E megjithatë, pasi janë transferuar në rajonin e Gjirit Persik aeroplanmbajtëse, ushtarë dhe skuadrilje bombarduesish është mirë që marrin rrugën edhe diplomatët. Gjendja është tepër e rrezikshme. Vërtet që asnjëra palë nuk e dëshiron luftën - përveç ndoshta John Bolton-it - por secili përgatitet për dhe e pret atë. Keqkuptimet në këtë situatë mund të shkaktojnë potencialisht katastrofa. Dhe çdo kanal bisedimesh është me vlerë shumë të madhe. Veçanërisht po të lidhen diku me këtë kanal edhe Uashingtoni dhe Rijadi. Si në vizitën e kryeministrit japonez Shinzo Abe në Teheran të mërkurën, i cili gjithashtu udhëton me porosi të Trumpit. Ose - gjithashtu të mërkurën - në vizitën në Berlin të princit të kurorës të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed.

Në fund, megjithatë, nuk do të ketë asnjë rrugë tjetër përveçse bisedimeve të drejtpërdrejta midis Teheranit dhe Uashingtonit. E gjithë bota është e interesuar për bisedime të tilla dhe Maasi do të ketë këmbëngulur në Teheran për këtë. Por: me thikën e sanksioneve në grykë, Irani zor se do të ulet në tryezën e negociatave.