Koment: Manovra e dëshpëruar e Rohanit
9 Maj 2019Me vendimin për të mos i shitur më jashtë rezervat e pakta të pasuruara të uranit, por për t'i lenë brenda territorit të vendit, dhe me paralajmërimin për hapa të tjerë, - si pasurimin e mëtejshëm të uranit - Irani rrezikon marrëveshjen atomike, të cilën, veç SHBA, e respektojnë të gjitha shtetet e tjera deri më tani. Ky vendim i jep fund edhe "epokës së maturisë, diplomacisë dhe shpresës", që Irani donte të ndiqte që me ardhjen në pushtet në vitin 2013 të presidentit Hasan Rohani. E që arriti pikën kulmore me nënshkrimin e marrëveshjes atomike në vitin 2015.
Që nga fillimi Rohani ndeshej me valën kundërshtuese të ndjekësve të linjës së ashpër, sidomos të liderit fetar, Ali Khomenei dhe gardave të revolucionit. Ato nuk ishin të interesuara për suksesin e marrëveshjes dhe i hapnin telashe presidentit, ku të mundnin, si në politikën e jashtme ashtu edhe të brendshme.
Futur në darë nga SHBA
Rohani duket se e ka humbur shpresën, se të paktën marrëveshjen atomike do ta ketë si rezultat pozitiv të presidencës së tij. Goditjen e parë e dha pa dyshim një vit më parë Uashingtoni me largimin nga marrëveshja atomike duke i shfuqizuar jo vetëm masat përjashtuese për eksportet e naftës së Iranit, por edhe eksportet e tij për uranin e pasuruar dhe deuteriumoksidin, (D2O).
Presidenti Rohani deklaroi një vit pas njoftimit të Trumpit, se Irani po përgatitet, që të mos i zbatojë më pjesë të caktuara të marrëveshjes. Shfuqizimi i lejeve të veçanta që u dhanë nga ana e SHBA i la udhëheqjes iraniane dy opcione: Ose të hiqte dorë përfundimisht nga pasurimi i uranit, ose ta vazhdonte atë, por duke shkelur përcaktimet e marrëveshjes atomike me zotërimin e sasisë më shumë se 300 kg.
Megjithëse i vendosur në darë nga SHBA, Irani rrezikon me këtë hap që të humbasë edhe marrëveshjen e Francës, Britanisë së Madhe e Gjermanisë. Këto vende, pra edhe BE kanë këmbëngulur në vlefshmërinë e marrëveshjes atomike dhe janë përpjekur të zbusin efektet e sanksioneve amerikane. Tani mund të ndodhë, që aleatët europianë të Rohanit, të afrohen me linjën e ashpër të Uashingtonit.
Rikthim në kohë të turbullta
Këtu duhet kujtuar, se megjithë qëndrimin e ashpër të Trumpit dhe refuzimin personal të tij për marrëveshjen atomike, nga Uashingtoni gjithnjë ka pasur sinjale gatishmërie për bisedime me Teheranin. Udhëheqja iraniane i ka injoruar ato. Më me gjasa duket perspektiva për rikthimin e Iranit në politikën konfrontative të kohës së presidentit Ahmadinexhad, gjë që do të ishte konfirmim për ndjekësit e vijës së ashpër në Uashington, që thonë, se në Iran nuk ka partnerë të moderuar për bisedime.
Me afatin e tij 60 ditor, Rohani kërkon që të detyrojë partnerët e mbetur në marrëveshjen atomike që të bëjnë propozime për një marrëveshje të re, që do ta mbrojë Iranin nga sanksione të tjera amerikane. Por kjo duket më shumë si një manovër e dëshpëruar, pasi 6 vite me radhë Irani u përpoq pa sukses që të shpëtonte nga barra e sanksioneve. Manovër e dëshpëruar edhe për një arsye tjetër - mundësitë e pakta për ndikim të presidentit Rohani tek politika e Iranit kundrejt shteteve anëtare në Lindjen e Afërt, politikë që sundohet nga radikalët.