Koment: Mbresëlënëse - Gjermania vend emigracioni
3 Shtator 2015Gjermania është një vend emigracioni. Një vend shprese për njerëzit nga Lindja e Mesme, nga Afrika, nga Azia, nga Ballkani. Për njerëzit të cilët marrin arratinë - nga lufta, nga tirania, nga torturat, nga përndjekja, nga shtypja, nga diskriminimi, varfëria, mungesa e shpresës. Ata ikin me qindra e mijëra - shpesh në kushte të rrezikshme, gjithmonë të varur prej arbitraritetit të kontrabandistëve dhe trafikantëve. Ata ikin në një vend ku shumica e njerëzve i pret refugjatët me empati, me kujdes, me një gatishmëri shembullore për ndihmë dhe bujari. Kjo është mjaft mbresëlënëse.
Por edhe Gjermania është plot mbresa. Asgjë nuk duket se vlen më. Nuk ka rregulla, ligje, standarde, siguri. Të gjitha llojet e dyshimeve dhe shqetësimet përjashtohen ose kalohen në plan të dytë. 800.000 refugjatë janë një detyrë që gjermanët e marrin përsipër, që duhet ta marrin përsipër. Ata konsiderohen si një mundësi, jo si një barrë apo mbingarkesë.
Virtyte të reja gjermane
Dhe vërtetë duket se gjermanët i presin për momentin me simpati, kureshtje dhe një gatishmëri të madhe për të ndihmuar refugjatët që vijnë nga kultura dhe nga kontinente të tjera. Njerëzit i shikojnë pothuajse të habitur këta gjermanë të rinj, të cilëve kancelarja Merkel u ka bërë thirrje një virtyt krejt të ri gjerman: fleksibilitet. Me fjalë të tjera: le t'i lemë gjërat të ndodhin të shohim se çfarë do të ndodhë.
Prej nga vjen kjo gatishmëri prekëse për të pranuar të huajt dhe refugjatët, për të mos insistuar tek kualifikimet, gjë që e bën vetëkuptushëm çdo vend emigracioni? Është hija e Rajhut të Tretë, është përkujtimi tradicional i përvojave të qindra mijëra gjermanëve, të cilëve iu desh të emigrojnë dhe që përpiqeshin plot dëshpërim për t'u strehuar në Angli, SHBA, Francë, Zvicër apo Shangai. Është kujtimi i odisesë së kaq shumë gjermanëve, të cilët nuk mundën të arratiseshin, që vranë veten nga dëshpërimi, u arrestuan duke u arratisur, u dëbuan dhe u vranë.
ADN sociale e Gjermanisë
Prej kësaj lindi pas luftës neni unik në botë në Kushtetutën Gjermane, i cili u njeh të përndjekurive politikë të drejtën për azil. E drejta e azilit nuk është një akt mëshire, por një detyrim ligjor dhe moral. Dhe edhe pse ajo është modifikuar dhe dobësuar para 20 vjetësh, e drejta e azilit në thelb vazhdon të ekzistojë. Ajo është pjesë e ADN-së sociale të Gjermanisë.
Shumica dërrmuese e gjermanëve e mbështet këtë detyrim moral, elitat gjithsesi. Një pakicë e vogël rebelon dhe për fat të keq demonstron kundër refugjatëve. Kjo s'është gjë e mirë, nuk ka dyshim, por kjo është vetëm një pakicë e vogël. Gjithësesi askush nuk duhet ta përjashtojë mundësinë që prej gatishmërisë mbresëlënëse për të ndihmuar, të krijohet një shoqëri e mbingarkuar. Që empatia të shndërrohet në refuzim. Kjo është arsyeja pse politika duhet të veprojë tani. Të thotë atë që dëshiron, çfarë është e mundur dhe çfarë nuk funksionon - si në nivel kombëtar dhe në nivel evropian. Ne kemi një gjendje të jashtëzakonshme, me të cilën shteti është i mbingarkuar. E deri tani më shumë se qytetarët e tij.
Ju mund të bëni një koment poshtë këtij artikulli. Ne gëzohemi për mendimin tuaj!