1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: me të gjithë forcën kundër terrorit

22 Mars 2016

Terroristët duan, që ne të dorëzohemi. Kurrë. Pas zisë për të pafajshmit duhet të ashpërsohet lufta kundër islamizmit, mendon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/1IHqU
Belgien Je suis Bruxelles Schriftzug
Fotografi: DW/B. Riegert

Ky ishte një shok i rëndë. Në zemër të Europës terroristët qëlluan në shënjestër. Njerëz të pafajshëm u vranë, qindra të tjerë u plagosën. Dhunë absurde. Fytyra e tmerrshme e terrorit islamist në Bruksel. Belgjika sapo mori pak frymë, pasi më në fund të premten (18.03) mundi të arrestohet njëri prej vrasësve të Parisit. E tani kjo. Porta e Brandenburgut në Berlin dhe Kulla Eifel në Paris do të ndriçojnë në ngjyrat e flamurit kombëtar belg. Të gjithë europianët duhet të bashkohen tani dhe t'u thërrasin me zë të lartë terroristëve: "Je suis Bruxelles". Ne nuk lejojmë të na mposhtni.

"Zoti është i madh", ulëriti atentatori në aeroportin Zaventem para se të aktivizonte brezin me lëndë shpërthyese. Vrasje në emër të fesë. Pas shumë sulmeve në Paris, në Stamboll apo kudo tjetër ne i mbushim mendjen veten se islami dhe terrori duhen ndarë dhe në mënyrë racionale duhen dalluar nga njeri-tjetri. Ndoshta këtë këndvështrim duhet ta rishqyrtojmë. A mund të vazhdojmë ta pranojmë edhe më gjatë, që terroristët islamistë jo vetëm në Molenbeek mbrohen dhe fshihen prej vëllezërve të besimit të tyre? Asnjë luftë në Lindjen e Mesme, asnjë gjoja izolim, asnjë margjinalizim i myslimanëve nuk mund të jetë argument për terrorin.

Tashmë është treguar, se duhet ndërmarrë më shumë kundër terrorit. Terroristët mund të vrasin verbërisht, të paralizojnë një vend të tërë dhe të nxisin kaos. Shteti duhet të kundërgodasë me të gjithë forcën. Nëse hetuesit dhe policia kanë nevojë për më shumë mjete, atëherë atyre duhet t'u jepen ato. Mbrojtja e të dhënave dhe të drejtat personale të individit, p.sh. për shqyrtimin e të dhënave të komunikacionit, duhet të kufizohen. Bëhet fjalë për sigurinë tonë të të gjithëve.

Riegert Bernd Kommentarbild App
Bernd Riegert

"Me qetësi, me arsye dhe në mënyrë solidare", kështu duhet reaguar tha kryeminstri belg Charles Michel. Kjo është e vërtetë, por më në fund duhet reaguar. Shërbimet sekrete në Europë duhet të bashkëpunojnë më mirë mes tyre. Për këtë po bëhen përpjekje prej vitesh. Efekti i dëshiruar ende nuk është i prekshëm.

Sensibilizimi duhet intensifikuar e po ashtu edhe parandalimi. Nuk mund të lejohet më gjatë, që ne të na duhet të bëjmë sehir, se si islamistë të radikalizuar nga Siria apo Iraku kthehen në Europë dhe këtu mund të vëzhgohen vetëm, për aq kohë, sa ata nuk kryejnë një akt penal të dukshëm. Këtyre njerëzve, që krijojnë shtyllën kurizore të celulave terroriste në Europë, duhet t'u hiqet nënshtetësia qëkurse largohen nga vendi dhe me këtë ata humbasin edhe të drejtën e kthimit në BE.

Natyrisht për këtë është e nevojshme një mbrojtje më e mirë e kufijve të jashtëm të BE-së. Kontrolle të vazhdueshme gjatë hyrje-daljeve të shtetasve të BE-së deri tani nuk ka. Këto duhet të aplikohen shumë më shpejt, nga sa është planifikuar. Në Belgjikë rrjetet terroriste me sa duket për vite me radhë kanë mundur të punojnë të papenguar. Çmimi tani është mjaft i hidhur.

Por a mos vallë është më mirë në shtete të tjera të BE-së, në Francë, në Gjermani? Sulmet e terroristëve të shtangin, të indinjojnë, sepse ndihesh i pafuqishëm. Çfarë duhet të bëjmë?

Bernd Riegert' Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE