1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: NATO ndjek strategjinë e duhur

Bernd Riegert9 Korrik 2016

Vendimet e NATO-s në samitin e Varshavës nuk ndjekin logjikën e Luftës së Ftohtë, por tregojnë një politikë të mençur realiste. Frontet tani janë të qarta, mendon Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/1JMF9
Polen Nato-Gipfel in Warschau - Angela Merkel & Tayyip Erdogan
Fotografi: Reuters/K. Pempel

NATO e vringëllin shpatën, por lehtë. Sepse po të mendosh në parametra ushtarakë, katër batalione në kufirin lindor, si u vendos në samit, nuk janë ndonjë kërcënim kushedi sa i madh për trupat e fuqishme ruse. Moska nuk impresionohet nga kjo. Edhe NATO e di këtë: Qëllimi është të tregohet vendosmëri, dhe t'u jepet sinjali shteteve balltike, dikur satelitë të Bashkimit Sovjetik e Paktit të Varshavës, se NATO i kupton shqetësimet e tyre.

Në NATO nuk beson kush seriozisht, se Rusia do të sulmojë shtetet e anëtare të saj, apo të dërgojë „ushtarët e gjelbërt“ si një sulmet hibride në Ukrainë. Putini ka diçka tjetër në mendje. Ai do të sigurojë influencën ruse në Ukrainë, Bjellorusi, Gjeorgji, Moldavi e Azerbajxhan e Armeni. Kësaj ai i ka arritur. Bjellorusia është aleate. Shtetet e tjera janë të përfshira në konflikte që nxiten nga Rusia. Me këto konflikte „të ngrira“ asnjë nga këto shtete nuk mund të bëhet anëtar i NATO-s. Territori është siguruar  kështu për vite e dhjetëvjeçarë. Në këtë kontekst mund të kuptohet edhe vizita e fundit e Putinit në Finlandë. Finlandezëve që e shohin me dëshirë afrimin me NATO-n, Moska ua ka bërë të qartë, se Finlanda prej një kohë shumë të gjatë ka një kufi të „lëndueshëm“  me Rusinë.

NATO nga ana e saj i bën të qartë Rusisë me samitin e Varshavës, se deri ku mund të shkojë Putini e jo më larg. Politika e saj mbështetet edhe nga vendet perëndimore, që nuk janë të prekura drejtpërdrejt. Putini nuk ia ka dalë deri më tani të përçajë NATO-n. Edhe sistemi antiraketor që u vu pjesërisht në funksionim në Varshavë, nuk është ndonjë vringëllim kërcënues i shpatës. Teknikisht ky sistem nuk mund të ndalë raketat ndërkontinentale ruse, më së shumti ato drejtohen kundër Koresë së Veriut apo Iranit, e këtë e di edhe udhëheqja në Moskë, megjithëse publikisht pohohet diçka tjetër.

Riegert Bernd Kommentarbild App
Bernd Riegert

Meqënëse tani frontet janë qartësuar, në të vërtetë nuk ka ndonjë pengesë për dialogun NATO-Rusi. Këshilli NATO-Rusi duhet riaktivizuar. Presidenti Putin telefonon si me presidentin Obama, ashtu edhe me presidentin francez Hollande e kancelaren Merkel. Dialogu në nivelet më të larta po zhvillohet. Ky dialog duhet të ekzistojë, sepse si NATO ashtu edhe Rusia kanë, megjithë diferencat, edhe interesa të përbashkëta politike: Konflikti në Siri, mbrojtja ndaj terrorit islamist, zhvillimet në Afganistan apo Iran. Pa harruar këtu edhe interesat ekonomike.

Pas samitit të Varshavës palët do të ndeshen me realitetin e politikës. Nga kjo strategji e dyfishtë e NATO-s, - vringëllim shpate dhe dialog - vuan vetëm Ukraina dhe Gjeorgjia. Ato duhet të përgatiten që Rusia do të jetë për një kohë të gjatë një gjemb në trupin e tyre, dhe se NATO nuk mund ose nuk do të merret ushtarakisht me këtë temë.

Putini me sa duket duhet të kufizohet vetëm aty ku ndodhet. Rikthimi i Krimesë, një kthim i territoreve të Abkazisë apo Transnistrisë mbeten iluzione. Kjo nuk ka të bëjë aspak me Luftën e Ftohtë. Asokohe qëndronin përballë dy ideologji armiqësore ndaj njëra-tjetrës, të armatosura deri në dhëmbë, me qindra mijëra ushtarë. Sot numri i trupave ushtarake është i vogël. Demokracitë qëndrojnë tani përballë një regjimi Putin, që nuk ndjek ndonjë ideologji, e shpesh është më i paparashikueshëm se  udhëheqja sovjetike, por vetëm synon ruajtjen e pushtetit dhe privilegjeve. NATO i jep përgjigjen e duhur takticienit të ftohtë të Kremlinit.