1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shitje totale në Athinë

Henrik Böhme5 Gusht 2015

Augurët kishin pasur të drejtë: bursa e Athinës do të pësonte kresh pas një pushimi të gjatë të detyruar. Vallja e fundit nuk ka përfunduar ende. S'është për t'u çuditur, mendon Henrik Böhme.

https://p.dw.com/p/1GA1q
Griechenland Wiedereröffnung Börse Athen
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Messinis

Kjo do të ishte një pyetje për spektaklin televiziv "Kush bëhet milioner?": Si quhet indeksi më i rëndësishëm i aksioneve në Greqi? Sigurisht që secili, që është sadopak i interesuar për aksione, njeh DAX (Frankfurt), FTSE (Londër), apo CAC (Paris). Po ASE General Index? Por kjo qasje ka ndryshuar pa dyshim që nga fillimi i javës, sepse natyrisht që të gjithë i kishin drejtuar sytë nga bursa e Athinës, kur ajo u rihap pas pesë javësh pushimi të detyruar. Që hapja do të ishte e hidhur, mund të merrej me mend, sepse në fund të fundit është gjëja më e keqe, që mund t'i ndodhë një burse, nëse ajo nuk vepron dot, aq më tepër për kaq shumë javë.

Ishin sidomos aksionet e bankave greke ato që u goditën fort, gjë që vazhdoi edhe ditën e dytë të javës. Ndër të tjera për arsyen, se të hënën nuk mund të kryeheshin të gjitha porositë e shitjes. Shpesh humbjet arritën nivelin kritik prej 30 për qind, atëherë aksionet dalin nga tregtia. Meqë aksionet bankare përbëjnë rreth një të pestën e kapitalizimit të bursës së Athinës, kjo dëmtoi edhe sektorët e tjerë.

Shitja totale e aksioneve bankare mund të vazhdojë edhe disa ditë. Sepse kush i merr aksionet e institucioneve monetare, të cilat kanë mungesa gjigante në bilanc? Vetëm kërkesa për kapital e katër bankave të mëdha është ndërkohe afro 25 miliardë Euro. Vendasit nuk vijnë gjithsesi në konsideratë si blerës të aksioneve, për to vlejnë rregullat e veçanta në kuadër të kontrolleve aktuale të qarkullimit të kapitalit. Dhe nga jashtë vijnë momentalisht në rradhë të parë porosi për shitje, madje në përmasa të jashtëzakonshme.

Henrik Böhme
Henrik BöhmeFotografi: DW

Nuk është çudi e gjitha

Humbjet nuk janë asgjë më tepër se shprehje e shqetësimit për perspektivën ekonomike dhe politike në Greqi. Vetëm për arsye se kanë rifilluar bisedimet me financuesit, nuk është e sigurtë se rreziku i një Grexiti, pra i daljes nga Eurozona, është kapërcyer. Dhe kontrollet e kapitalit, që duhej të pengonin daljen e mëtejshme të parasë nga Greqia, po tregojnë që tani ndikimin e tyre shumë negativ në ekonomi. Shumë sipërmarrje nuk mund të porosisin më lëndë të parë apo pjesë këmbimi nga jashtë, sepse nuk mund t'i paguajnë faturat. Të tjerët, si pronarët e hoteleve dhe restoranteve, vuajnë nën taksën e vlerës së shtuar, e cila sapo është rritur. Dhe sipas llogarive të agjencisë së lajmeve Reuters bllokimi disa mujor, që i ka bërë qeveria Tspipras financuesve, ka shkaktuar një dëm, që i korrespondon një të katërtës së prodhimit ekonomik vjetor.

Është një rreth vicioz

Mirë që bursa greke luan një rol të parëndësishëm në koncertin ndërkombëtar. Për të gjitha bursat e tjera evropiane nuk kishte rëndësi rënia e së hënës në Athinë, DAX madje u ngrit dukshëm. Shumë investitorë madje janë tërhequr prej kohësh nga tregu i aksioneve në Greqi. Përveç kësaj vlera e 60 aksioneve më të rëndësishme greke (pikërisht ato në ASE General Indexin tanimë të njohur) është 35 miliardë Euro, po aq sa ka humbur koncerni amerikan Apple para disa ditësh pas rezultateve zhgënjyese të tremujorit.

Dhe kompania gjermane aktualisht me më shumë vlerë në bursë, koncerni kimik Bayer, ka momentalisht tri herë më shumë vlerë se i gjithë ASE së bashku.

Më pëlqen optimizmi i një tregtari të bursës së Athinës. "Është një ditë e trishtuar për Greqinë - kështu citon një gazetë gjermane Nikos Chryssochoidis - por jo "e hëna e zezë". Megjithatë pozitive është që bursa është rihapur. Por derisa në Athinë të kthehet përsëri normaliteti, ka gjasa të zgjasë shumë javë të tjera, madje edhe muaj.