1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: sinjal i duhur nga Oslo

Florian Weigand10 Tetor 2014

Një adoleshente pashtune bëhet një model për rolin e duhur për pajtimin dhe dialogun, edhe për myslimanët në botë, të cilët janë të dëshpëruar nga ekstremistët, mendon Florian Weigand.

https://p.dw.com/p/1DTKx
Malala Yousafzai, Kailash Satyarthi
Fotografi: Reuters

"Unë nuk e urrej talibanin, që shtiu kundër meje. Edhe sikur të kishte një armë në dorë dhe të qendronte para meje, unë nuk do të hapja zjarr kundër tij. Këto janë mëshira dhe dhembshuria që unë kam mësuar nga Muhameti, profeti i mëshirës dhe nga Jezu Krishti dhe Buda." Fjalë të fuqishme të pajtimit dhe të dialogut nga një adoleshente, të shqiptuara para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në qershor 2013. Megjithëse qe propozuar që atëherë, Malala Yousafzai iu desh të priste edhe një vit, përpara se ta merrte në dorëzim Çmimin Nobel të Paqes. Komiteti në Oslo mori vendimin e duhur. Sepse pavarësisht nëse Malala i kishte shkruar vetë fjalët, apo nëse ato ia kishte shkruar ndonjë këshilltar i aftë i PR: 17 vjeçarja e jeton atë që thotë. Edhe kur u plagos rëndë nga një plumb i atentatorit dhe kur iu desh kohë e gjatë për t'u shëruar, ajo nuk u frikësua, por nuk kishte as ndjenja hakmarrjeje. Ajo është ambasadorja ideale e paqes, ashtu si mund ta ketë përfytyruar atë Alfred Nobeli. Me këtë Komiteti e vuri në vend reputacionin e tij, pas vendimeve të diskutueshme të viteve të fundit, në të cilat me çmim u nderuan së pari Barack Obama me - nga këndvështrimi i sotëm- dafina paradhënie, dhe më pas organizata abstrakte, jopersonale, si BE ose Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, atëherë në lidhje me angazhimin e inspektorëve në Siri.

Vendimi është një sinjal i rëndësishëm pozitiv edhe në një aspekt tjetër. Malala është pashtune dhe me origjinë nga lugina pashtune Swat, një zonë famëkeqe e operacioneve të talibanëve. Thellë në psikikën e komunitetit botëror ka zënë vend pamja e ekstremistëve me mjekër të gjatë nga atdheu i saj. Malala është kundërprojekti i tyre, e njohur në të gjithë botën. Dhe jo së fundi një shërbim ajo i bën besimit të saj. Myslimania vë në plan të parë mesazhin e paqes të fesë islame dhe u zgjat dorën feve të tjera. Me këtë ajo mund të bëhet një rol model për myslimanët e iluminuar në botë, të cilët dëshpërohen nga veprat mizore të ekstremistëve.

Dhe jo së fundi, Oslo u dërgon një mesazh të rëndësishëm qeverive në rajon. Në një kohë kur Pakistani dhe India përfshihen sërish në luftime për Kashmirin në vijën e diskutueshme të demarkacionit, juria nderoi krahas pakistanezes, me 60 vjeçarin Kailash Satyarthi edhe një indian. Një aktivist që angazhohet kundër shfrytëzimit të fëmijëve dhe që e sheh veten në traditën e Gandit. Në mënyrë shumë të qartë Komiteti i Nobelit lë të kuptohet se grindja e vazhdueshme midis Delhit dhe Islamabadit duhet të ketë një fund dhe se ka probleme të rëndësishme - si arsimi dhe mbrojtja e fëmijëve - të cilat duhet të trajtohen së bashku dhe në mënyrë paqësore.

Çmimi Nobel do të bëhet tani një dominante në jetën e Malalas. Kjo nuk është barrë e lehtë për një adoleshente. Shpresat që do të lidhen në të ardhmen me të tani janë edhe më të mëdha: krahas edhe rrezikut shumë real për jetën e saj, që vjen nga qarqet eksteremiste. Në këtë kuadër, një jetë normale nuk do të jetë e mundur për të. Të shpresojmë që ajo ta përballojë ngarkesën.