Koment: Të bashkojmë vendin
24 Korrik 2016Vrasja e nëntë personave e ka tronditur Gjermaninë. Tronditje, pyetje pa përgjigje, zemërim, dëshpërim. Mynihu donte të startonte në një fundjavë vere në lokalet e birrës pranë lumit Isar dhe alpeve - kur terrori e prishi këtë idil. Në mëngjes qyteti u zgjua si nga një ëndërr e keqe. Fakt është që një gjermano-iranian shuan disa jetë njerëzish dhe plagos mjaft të tjerë, dhe jo vetëm të plagosurit në trup, që ende luftojnë me jetën. Ai lëndon shumë të tjerë në ndjenjën e sigurisë së tyre, goditje psikike.
Terrori afrohet - kjo u dëgjua në politikë javën e kaluar. Fillimisht gjakderdhja e tmerrshme në Nicë, atentati i një refugjati të ri në Würzburg, që lëndoi rëndë disa turistë kinezë.
Pikëllim, zemërim, krenari
Gjermania është bërë më e pasigurtë. Pas sulmit në Mynih pati spekulime që nga terrori me sfond islamist deri tek masakra e ngjashme me atë të Utoyas me sfond radikal-nacionalist, të premten (22.07) ishte 5-vjetori i masakrës në ishullin norvegjez. Ndërkohë autori i masakrës në Mynih është një 18-vjeçar që ende shkon në shkollë. Menjëherë zgjohen kujtimet për masakrat në shkolla, që tronditën Gjermaninë në 15 vitet e fundit. Dhe si në vitin 2009, në masakrën në një shkollë në Vininden shtrohet pyetja: Ku e ka gjetur ky i ri armën?
Atmosfera në Mynih dhe Gjermani është e atmosferë e dhimbjes, zemërimit, por edhe një lloj krenarie. Dhimbje dhe zemërim për viktimat dhe humbjen e pakuptimtë të jetëve të njerëzve. Krenari për solidaritetin dhe gatishmërinë për ndihmë të qytetarëve të Mynihut që hapën dyert e shtëpive për ata që nuk mundën të shkonin në shtëpi, për shkak të bllokimit të plotë të trafikut. Krenari për forcat e sigurisë në kryeqytetin bavarez, që kanë reaguar të angazhuara dhe me vendosmëri, duke e komunikuar qartë dhe hapur gjendjen. Kjo ishte përgjigja për nervozitetin dhe presionin mediatik e panikun në mediat sociale. 2300 forca sigurie erdhën nga lande të ndryshme, edhe nga Austria, edhe pse askush nuk e dinte se çfarë do të thoshte për të ky mision personalisht.
E megjithatë pas një akti të tillë shqetësimet mbeten: Sa e lartë është durueshmëria e shoqërisë gjermane? Pas çdo sulmi tensioni rritet -pavarësisht nëse ai është sulm amok apo vepra e një anëtari të rrjeti terrorist, ai e trondit thellë Gjermaninë - një shoqëri që sigurohet kundrejt çdo rreziku dhe e ka të vështirë të durojë pasigurinë. Këtë e kuptonte kushdo që u hodhi një sy natën e së shtunës mediave sociale dhe lexoi komentet online. Jo pak nga ato që janë shkruar është vështirë t'i nxjerrë goja. Komente të tilla përçmojnë edhe viktimat.
Politika duhet ta marrë më seriozisht se deri tani si ndjenjën në rritje të pasigurisë ashtu edhe përçarjen brenda shoqërisë. Vendi ndodhet para një prove, bëhet fjalë për ruajtjen e unitetit në shoqëri, për vendosmëri dhe racionalitet të autoriteteve, për forcë drejtuese të politikës. Por kjo gjendje ka nevojë edhe për të folur hapur për problemet në rritje. Demokracia jeton nga një shoqëri civile aktive, kjo shoqëri jeton nga koherenca brenda saj edhe nga debati i sinqertë dhe aftësia për të duruar tensionet. Me Mynihun tregohet se sa i vështirë ka për të qenë misioni për të mbajtur në unitet jo vetëm kampet politike, por një vend të gjithë. Ky mision sapo ka filluar.
Ju mund të jepni mendimin Tuaj në fund të këtij artikulli! Ne ju mirëpresim!