Komisarët e BE në bankën e provës
3 Tetor 2014Vetëm njëri nga të 27 kandidatët për një post në Komisionin e ri Evropian ka vështirësi serioze, pas pyetjeve të para në Parlamentin Evropian: britaniku Jonathan Hill, i cili do të bëhet komisar për mbikqyrjen e tregjeve financiare duhet ta përsëritë klasën. Javën e ardhshme atij do t'i duhet të flasë edhe njëherë me komisionet përkatëse. Por kjo nuk është një orë e dytë formale pyetjesh. Konservatorit Lord Hill i jepet mundësia të heqë dyshimet, që u kanë mbetur pas tri orësh dhe 45 pyetjesh kryesisht të Majtëve dhe të Gjelbërve. Ata e quajnë Hillin lobiist të maskuar të ekonomisë financiare britanike. Jonathan Hill, i cili deri katër vite të shkuara ka pasur një firmë private në sektorin e shërbimeve, e kundërshtoi këtë. "Unë nuk jam pjesë e asnjë këshilli mbikqyrës, nuk kam interesa. Unë nuk përfaqësoj City of London këtu," ua ktheu Hilli, një person i besuar i kryeministrit britanik, skeptik ndaj Evropës, David Cameron.
Hilli u shpreh për një rregullim të tregjeve financiare, por pranoi se në shumë sektorë specifikë ai duhet të familjarizohet me punën. "Unë ende nuk kam një program pune për pesë vitet e ardhshme", tha ai. Deputetët konservatorë e lëvduan. Deputetë, që nuk kanë të njëjtin mendim politik me të, e refuzuan.
Dëftesat javën e ardhshme
Një vendim përfundimtar për komisarët e ardhshëm të BE do të përvijohet vetëm në konferencën e madhe të dëftesave javën e ardhshme. Atëherë grupet parlamentare të Parlamentit do të merren sërish me rezultatet e pyetjeve. Kryetarët e grupeve parlamentare do të diskutojnë pastaj nëse një kandidat është rrëzuar apo jo.
Nëse Parlamenti do të kërkojë ndonjë kurban, për të demonstruar fuqinë e tij, ai që mund të prekej mund të jetë ndonjë kandidat i liberalëve. Prandaj lëkundet kandidatja e Sllovenisë, Alenka Bratushek, e cila llogaritet e liberalëve dhe që nuk pas vetes një parti të madhe. Sllovenen e kritikojnë se si kryeministre në largim e Sllovenisë si të thuash e ka emëruar vetë veten. Dëgjimi i saj është parashikuar të bëhet të hënën.
A do të miratohen në fund të gjithë?
Pasi ka kaluar afërsisht gjysma e pyetjeve të nevojshme, një deputet me përvojë i tha DW se ai beson që do të miratohen të gjithë kandidatët dhe se parlamenti do ta miratojë në 22 tetor paketën e personelit të Presidentit të Komisionit, Jean-Claude Juncker. Junckeri bëri të ditur përmes zëdhënëses së tij se është shumë i kënaqur. Të gjithë kandidatët, deri tani kishin konfirmuar kompetencën e tyre.