1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni Europian i kërkon Bashkimit Demokratik për Integrim t'i rikthehet jetës parlamentare

Viron Gjymshana, Mimoza Cika Kelmendi27 Shtator 2007

Pas incidenteve të fundit mes politikanëve shqiptarë të pozitës dhe opozitës në parlamentin maqedonas në Shkup reaguan edhe institucionet ndërkombëtare. Doris Pack bën thirrje të luftohet me fjalë dhe jo me grushta.

https://p.dw.com/p/BkMY
Zgjedhjet në Maqedoni
Zgjedhjet në MaqedoniFotografi: Petar Stojanovski

Komisioni Europian po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në Maqedoni, pas incidenteve të ngjara në parlament. Kristina Nagy, zëdhënëse e komisionerit përgjegjës për zgjerimin, Olli Rehn, pas lajmit se partia shqiptare e Bashkimit Demokratik për Integrim ka vendosur të bojkotojë për një kohë të pacaktuar punimet e parlamentit , pohoi se: "...situata në Maqedoni po lëviz me shpejtësi. Shpresojmë që ky vendim i Bashkimit Demokratik për Integrim të ndryshojë së shpejti, sepse është tejet e qartë se në çdo lloj demokracie parlamenti është vendi më i përshtatshëm për të shkëmbyer pikëpamjet dhe mbrojtur interesat politike, tha ajo, para se të vinte në dukje se është me rëndësi të dorës së parë për të ardhmen europiane të vendit që procesi i reformave në vend të mos ndërpritet, dhe pikërisht për këtë arsye lipset që veprimtaria legjislative e parlamentit të vazhdojë normalisht. Prandaj u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë punën në parlament në mënyrë paqësore dhe konstruktive - deklaroi zëdhënësja e Komisionit Europian.

Kjo është dita e dytë rradhazi që zyrtarët e Komisionit Europian komentojnë zhvillimet e fundit në Maqedoni

Kristina Nagy i cilësoi të sharat dhe rrahjet ndërmjet deputetëve shqiptarë në parlamentin maqedonas si akte të turpshme që bien në kundërshtim me arritjet e deritanishme në këtë vend. Ajo i bëri thirrje autoriteteve vendase të shqyrtojnë përgjegjësitë e këtij veprimi, duke theksuar se shqetësimi bëhet edhe më i madh kur mëson se viktima të këtyre akteve të dhunës janë edhe përfaqësues të shtypit. "... Duam të nënvizojmë se sulmet kundër shtypit nuk lejohen në asnjë shoqëri demokratike. Porosia jonë është që debatet në parlament të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe të qetë," ritheksoi edhe një herë tjetër sot zëdhënësja e Komisionit Europian.

Doris Pack
Doris PackFotografi: dpa

Eurodeputetja Doris Pack ndër të tjera tha për Deutsche Wellen: "Kjo tregon se në vend nuk ekziston ende pjekuria politike. Eshtë e vështirë që të kuptosh një sjellje të tillë të politikanëve. Njerëzit duhet të luftojnë me fjalë, ide dhe argumenta dhe jo me grushta apo me objekte të tjera. Duhet thënë megjithatë se edhe në parlamentet e Bashkimit Europian ndodhin gjëra të tilla. Le të kujtojmë rastin e fundit në Itali. Megjithatë, kjo është një shenjë e mungesës së pjekurisë. Një gjë e tillë nuk tregon se vendi është i gatshëm për të filluar bisedimet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian dhe një gjë e tillë nuk më duket e mirë, sepse kur presidente e rradhës së BE-së do të jetë Sllovenia, pra nga janari 2008, sllovenët do ta kenë të vështrë që t`i bindin anëtarët e 26 vendeve të BE-së se është pjekur koha për të filluar bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë. Për këtë arsye iu bëj thirrje politikanëve maqedonas që të sillen si politikanë të vërtetë dhe të luftojnë me argumenta dhe jo me grushta. Të gjithë politikanët, pavarësisht prej përkatësisë së ytre politike duhet t`i marrin seriozisht në dorë fatet e vendit të tyre. Në rast të kundërt, unë nuk shikoj asnjë mundësi se si mund të fillohen bisedimet për anëtarësim në BE".