Komisioni Europian synon t’i dërgojë një sinjal shprese Ballkanit
10 Shkurt 2006Komisioni Europian dëshiron t'i sigurojë edhe një herë tjetër banorët e vendeve të Europës Juglindore, se anëtarësimi i tyre i ardhshëm në BE nuk është vënë në pikëpyetje. Përkundrazi ai mbetet përparësi e strategjisë së zgjerimit të Bashkimit Europian. Ky do të jetë edhe mesazhi kryesor që presidenti i Komisionit Europian, Barrozo dhe komisioneri, Rehn do u përcjellin bashkëbiseduesve të tyre në Zagreb, Beograd, Prishtinë, Shkup, Tiranë dhe Sarajevë. Për katër ditë me rradhë nga e mërkura e ardhshme deri të shtunën dy zyrtarët e lartë të BE-së do të trajtojnë me udhëheqësit më të lartë të vendeve ballkanike sfidat dhe kriteret që këto vende duhet të përballojnë para një anëtarësimi të tyre në BE.
Vizita e Barrozos dhe Rehnit në Ballkanin Perëndimor fillon pikërisht në Kroaci, në vendin që ndodhet më pranë këtij objektivi, pra anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në të kundërt, vendi i dytë që do të vizitohet nga zyrtarët europian është Serbia, e cila sapo ka hedhur hapin e parë në këtë drejtim. Roli i Beogradit në të kaluarën gjatë konflikteve të fundit në rajon, si dhe mungesa e bashkëpunimit të plotë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës mbeten shkaqet kryesore që kanë mbajtur larg Serbinë nga BE-ja. Vizita e delegacionit të lartë europian në Kosovë do të përqëndrohet kryesisht në rolin ekonomik dhe politik që mund të luajë Komisioni Europian gjatë dhe pas përcaktimit të statusit të saj.
Nga ana e tij pritet që Shkupi të ushtrojë një presion të fortë ndaj udhëheqësve europianë që BE-ja të caktojë një datë të fillimit të negociatave të anëtarësimit edhe të Maqedonisë në Bashkimin Europian. Maqedonia ka mbaruar tani punë me Marrëveshjen e asocim stabilizimit, Tirana pret të nënshkruajë të shtunën pikërisht këtë marrëveshje. Por zyrtarët e Brukselit do u bëjnë të qartë klasës politike shqiptare se deri në kalimin në etapën e dytë, në atë të hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE, rruga do të jetë e gjatë dhe e mbushur me pengesa që duhen kapërcyer.
Turneu i presidentit të Komisionit Europian, Barrozo dhe komisionerit Rehn në Ballkanin Perëndimor përfundon të shtunën me vizitën dhe takimet që ata do të zhvillojnë në Sarajeve. Krijimi i një shteti funksional në Bosnjë do të jetë kushti kryesor i BE-së ndaj Sarajevës për nënshkrimin edhe me të të një marrëveshjeje asocim - stabilizimi.