KE paraqet plane për një bashkim bankar
12 Shtator 2012Katër vjet më parë, shpërtheu kriza e përbotshme financiare. Vetëm shpëtimi i bankave të zhytura në borxhe për pak e rrënoi ndonjë shtet evropian. Kjo vlen para së gjithash për Spanjën. "Ne duhet ta thyejmë këtë rreth djallëzor, që shpëtimi i bankave të dobësojë buxhetin shtetëror", mendon Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, i cili e ka shpallur bashkimin e bankave çështje në kompetencën e tij. Tek bashkimi bankar bën pjesë para së gjithash mbikqyrja e bankave në të gjithë Evropën, e vendosur tek Banka Qendrore Evropiane (BQE). Komisioni kërkon që kjo bankë të mbikqyrë të 6.000 institucionet financiare të eurozonës. Veç kësaj, të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet të ndërtojnë me taksat e bankave fonde shpëtimi, me të cilat të shpëtohen bankat e dobësuara dhe në rast nevoje të mbyllen. Por në të ardhmen bankat do të kenë mundësi të marrin edhe kredi direkte nga fondi i shpëtimit i euros, ESM. Parakusht për këtë, thuhet në vendimin më të fundit të takimit të nivelit të lartë, është gjithashtu mbikqyrja bankare. Synimi i "superautoritetit mbikqyrës", siç u shpreh atëherë kancelarja federale Angela Merkel, është që paratë e taksapaguesve të mos zhduken në banka të pashpresa.
Veç kësaj, në plan afatgjatë do të ketë një sigurim mbarëevropian të depozitave bankare. Me këtë, paratë e klientëve privatë në një bankë do të mbroheshin në të gjithë Evropën - si ndodh që sot në Gjermani- deri në një nivel të caktuar, nëse banka falimenton.
Barnieri nuk dëshiron përjashtime
Por kritika për bashkimin e planifikuar bankar vjen e koncentruar. Ajo vjen në radhë të parë nga Gjermania. Që mbikqyrja kombëtare e tregut financiar gjerman të futet nën varësinë e një institucioni mbarëevropian, këtë Berlini në parim mund ta përtypë. BQE do të ndërhyjë në bazë të kësaj që herët në të gjithë zonën e euros, do të vendosë sanksione dhe në rast nevoje mund t'ia heqë licensën një banke, në një kohë që mbikqyrësit nacionalë vetëm do të asistonin.
Por Ministri i Financave, Wolfgang Schäuble (CDU) dëshiron ta lejojë mbikqyrjen vetëm për bankat e mëdha, falimentimi i të cilave do të rrezikonte të gjithë sistemin. Bankat gjermane të kursimit dhe bankat e kooperativave për shembull ai dëshiron t'i përjashtojë dhe t'i lërë nën mbikqyrjen nacionale.
Ndërsa Komisari kompetent në BE, Michel Barnier, i përgjigjet se edhe institute financiare në dukje me pak rëndësi si Northern Rock dhe Dexia u desh të shpëtohen me shuma gjigante publike. "Kjo nuk duhet të përsëritet më", thotë Barnier-ja.