Komisioni Evropian përshëndet dënimin e Majkrosftit (Microsoft)
17 Shtator 2007
Kryegjykatësi Bo Vesterdorf e lexoi me një zë monoton për disa minuta vendimin e rëndësishëm. Majkrosofti(Microsoft) ka humbur në të gjitha pikat më vendimtare, duhet të paguajë për shpërdorim të monopolit një dënim rekord prej gati 500 milionë EURO dhe të publikojë për konkurencën pjesë të kodit burimor të programit. Me sigurinë e fitores, komisarja e BE për konkurencën, Neelie Kruus e mori fjalën në mikrofon: "Gjykata konfirmoi, se Majkrosofti nuk mund ta modelojë tregun, duke i detyruar njerëzit të përdorin produktet dhe shërbimet e tij. Gjykata konfirmoi se Majkrosofti nuk lejohet të pengojë edhe më tej, që tregu të funksionojë si duhet. Përdoruesit e kompjuterave kanë nga ky shkak të drejtën e zgjedhjes."
Në mars të vitit 2004, Komisioni Evropian e ndëshkoi në një vendim të pashembullt me një gjobë rekord gjigandin e softuerit, duke kërkuar para së gjithash, që konkurentëve t'u publikoheshin të dhëna delikate të mbrojtura të programeve, në mënyrë që ata të kishin mundësi të shkruanin programet e veta për programin Uindous (Windows). Edhe ndërthurja e programit për dëgjimin e përmbajtjeve multimediatike me sistemin e punës u shpall ilegale. Majkrosofti arriti me vështirësi të madhe, në negociata disavjecare që të fitojë disa lëshime. Kryejuristi i Majkrosoftit, Bred (Brad) Smith premtoi duke buzëqeshur pas shpalljes së vendimit: "Eshtë shumë e rëndësishme për ne si sipërmarrje, që t'i plotësojmë detyrimet tona në bazë të së drejtës evropiane. Ne do ta lexojmë me shumë vëmendje vendimin dhe pastaj, nëse do të jetë e nevojshme, do të marrim masa shtesë, për ta zbatuar."
Komisarja e BE për konkurencën, Neli Kruus i kërkoi Majkrosoftit me ton të ashpër që t'i zbatojë më në fund të gjitha vendimet e gjyqit. Kjo firmë nuk duhet të pengojë edhe më tej në të ardhmen me monopolin e saj zhvillimin e produkteve më të reja. Vitet e fundit, pjesa e Majkrosoftit te server-at e grupeve thuajse është dyfishuar. MediaPlayer-i i Microsoftit ka arritur të fitojë tashmë një pozicion dominues. Në sektorët ku sundon Majkrosofti nuk ka pasur më inovacione që ia vlen t'i përmendësh, u ankua Neli Kruus: "Meqë kam punuar vetë për shumë vite si sipërmarrëse e di se cfarë efekti paralizues mund të kenë veprimet e pajustifikuara të një firme që sundon tregun. Për sipërmarrje të reja mungon kapitali për të guxuar, sepse investuesit kërkojnë tregje të reja, jashtë ndikimit të monopolistit." Neli Kruus tha se pjesa në treg e monopolistit duhet të ulet. Shifra konkrete ajo nuk përmendi.