Komisioni Evropian është për kufizimin e përdorimit të pijeve alkoolike
25 Tetor 2006
Deputetja socialdemokrate Dagmar Ruth Behrendt e quan iniciativën kundër alkoolit të komisarit të shëndetësisë, Markos Kyprianou një "ballon 100% me ajër të nxehtë", i cili është i rrafshët dhe pa kuptim. Eurodeputeti i CDU-së, Karl Heinz Florenz sheh rrezikun e një përkujdesjeje të tepruar të atyre që pinë birre dhe verë. Ministrja bavareze për Evropën, Emilia Müller CSU paralajmëron që të mos përbuzen pijet e zakonshme duke krijuar me këtë një burokraci të re.
Kur bëhet fjalë për alkoolin, këtu shakaja merr fund. Këtë Komisioni Evropian e ndieu që muajt e fundit, kur shpërndau propozimet e tij. Pas protestave të industrisë së pijeve dhe të sipërmarrjeve të reklamave, Markos Kyprianou e anulloi ndalimin e reklamave për pijet alkoolike. Paralajmërimet mbi shishe, ngjashëm me ato në paketat e cigareve, vetëm do të kontrollohen. Markos Kyprianou bëri të qartë:
"Problemi nuk është produkti, por shpërdorimi i produktit. Pra nuk bëhet fjala për alkoolin në vetvete në strategjinë tonë, por në të pirët e tepruar."
Deri 195 mijë evropianë vdesin sipas vlerësimit të Komisionit Evropian cdo vit nga dëmtime të shkaktuara nga konsumi i alkoolit. Krahasuar me të gjithë botën, Evropa zë vendin e parë përsa i përket konsumit të alkoolit, 11 litra alkool i pastër për frymë, kjo është e barabartë me 1.400 gota birrë. Rreth 23 milionë të varur nga alkooli ka në BE. Mosha, në të cilën fëmijët nisin të pijnë birrën ose alkoolin po ulet gjithnjë e më shumë. Shumë 12 deri 14 vjecarë rrëmbejnë gotën dhe pijnë, paralajmëron Komisioni Evropian.
Prandaj Komisari i Shëndetësisë i BE, Markos Kyprianou kërkon që mosha e konsumit të alkoolit të rritet në mënyrë të njësuar në 18 vjet. Në shumë shtete anëtare, kjo moshë është 16 vjec dhe nuk kontrollohet në mënyrë të mjaftueshme, ankohet komisari i BE:
"Këto ligje, që kërkojnë një moshë minimale, nuk zbatohen ende. Të rinjtë vazhdojnë të përdorin alkoolin,kundër ligjeve nacionale. Respektimi i ligjeve ekzistuese është më i rëndësishëm se sa ndryshimet e reja ligjore."
Shtetet e BE duhet ta koordinojnë më mirë politikën e tyre dhe të kërkojnë sqarim, kërkon komisioni i BE. Një licensim më i rreptë i shitjes së alkoolit ose një monopol shtetëror, si për shembull në Suedi, refuzohet nga shumica e shteteve anëtare të BE. Ato tërheqin vëmendjen, se Komisioni nuk është fare përgjegjës për masa konkrete, sepse politika shëndetësore është kompetencë vetëm e shteteteve anëtare.
Prandaj Markos Kyprianou vetëm mund të nxisë një diskutim, i cili të mbështesë vetëangazhimin e industrisë.
Për të ulur konsumin e alkoolit para së gjithash tek të rinjtë, komisioni rekomandon rritjen e cmimeve. Shtetet duhet t'i ngarkojnë pijet alkoolike me më shumë taksa. Në disa shtete jugore, birra është për shembull krejtësisht e liruar nga taksat, në të tjera, taksa e birrës është shumë e ulët(në Gjermani 1,2 Cent për Këlsh ose Pils), ankohet Komisioni. Ky propozim ndoshta mund t'u pëlqente ministrave të financës, të cilët arkëtojnë sot rreth 25 miliardë Euro cdo vit tatime mbi pijet alkoolike. Deri në vitin 2012, Komisioni do t'i vërë në jetë propozimet e tij, pra deri atëherë ka ende kohë për ndonjë birrë bjonde.