EU Ratingagenturen
16 Nëntor 2011Aksidenti me Francën i agjencisë "Standard and Poor" ishte pika që çoi në derdhjen e fuçisë. Sikurse u tha kishim të bënim gjoja vetëm me një gabim kompjuteri, por ky nuk ishte gabim dosido. Pa u bërë mirë publik lajmi se gjoja kjo agjenci vlerësimi e kishte ulur shkallën e besimit për Francën, në mbarë botën tregtarët e aksioneve dhe obligacioneve qeveritare filluan t'i shisnin aksionet apo bonot shtetërore franceze. Norma e interesit për letrat franceze me vlerë me një afat dhjetëvjeçar u ngjit menjëherë përpjetë - ky është një shembull i qartë i fuqisë dhe i pushtetit të agjencive të vlerësimit.
Brukseli dëshiron t'i vërë një lloj kufiri këtij pushteti dhe force të agjencive të vlerësimit. Sipas informacioneve të Komisionit të BE, ky do të vendosë këto masa. Do t'u ndalojë agjencive të botojnë gjykime dhe vlerësime për vendet e eurozonës që janë në krizë. Do t'u kërkojë llogari dhe do t'i bëjë këto agjenci përgjegjëse për notat dhe vlerësimet e gabuara që mund të japin dhe do të kontrollojë dhe krahasojë kriteret e vlerësimit të agjencive të ndryshme nga ana e BE-së.
Edhe në radhët e ekonomisë është gjithashtu gjithnjë e më tepër në rritje skepticizmi mbi agjencitë e vlerësimit. Ndryshe nga shtetet, kompanitë private kërkojnë që t'u bëhet vlerësimi dhe renditja duke paguar madje për këtë. Këtë gjë ato e bëjnë, se sa më të mirë ta kenë klasifikimin nga këto agjenci, aq më të mira, pra më të ulta janë normat e interesit për kreditë që marrin. Por gjithnjë e më shumë kompani mundohen të shpëtojnë prej pagesës së lartë që u kërkohet për një shërbim të tillë. Kështu p.sh. prodhuesi i artikujve sportivë Adidas apo kompania që prodhon software SAP mund të marri hua para në tregun e kapitalit edhe pa vlerësimet e agjencive të vlerësimit.
Pas bisedimeve të vështira, Parlamenti Evropian vendosi dhe ligje të reja me të cilat nga nëntori i 2012 do të mund të ndalohet tregëtia dhe shitja e sigurimeve të pambuluara të kredive (CSD). Këto produkte pjesërisht të komplikuara, me të cilat spekuluesit venë baste kur kurset janë në rënie, shihen si përshpejtues të krizës botërore financiare dhe të borxheve.
Kompromisi i arritur mes Parlamentit dhe vendeve anëtare të BE-së, krijon më shumë transparencë dhe forcon kompetencat e kontrollorëve kombëtarë dhe atyre që mbikqyrin bursën evropiane.
Autor: Sonja