Komisioni i BE synon tani ta njësojë trajtimin e politikës së emigrimit brenda BE
27 Shkurt 2003Për propozimin e Komisionit sot do të votojë Parlamenti Evropian.
Kai Rineke
Në komisionin për politikën e brendshme të Parlamentit Evropian, muajin e kaluar vota e kristjandemokratëve u kundërshtua nga një shumicë votash përtej kufive të fraksioneve. Socialdemokratët evropianë, Të Majtët e Bashkuar, të Gjelbrit dhe Liberalët u shprehën në parim në mbështetje të propozimit të BE, për ta rregulluar në mënyrë të njëtrajtshme emigracionin e punës në BE. Ky ë shtë një propozim që u përgjigjet kërkesave e Evropës kontemporane, thotë raportuesja përgjegjëse dhe socialistja spanjolle Ana Teron i Kuzi:
"Propozimi është në drejtimin e duhur, sepse ai pranon faktin që Bashkimi Evropian ka nevojë për kanale legale për emigrimin. Propozimi parasheh rregulla të njëtrajtshme dhe ato janë çelësi për një politikë të tillë legale evropiane".
Zëdhënësi për politikën e brendshme të Kristjandemokratëve evropianë, Hartmut Nazauer e sheh këtë krejt ndryshe. Për të, propozimi i komisarit të BE, Antonio Vitorino, jo vetëm që shkon shumë larg, por përcakton edhe një sinjal të gabuar:
"Me këtë ai kanalizon një emigrim të përgjithshëm në tregjet e punës të BE, në një kohë, kur në së bashku kemi më shumë se 15 milionë të papunë- vetëm në RFGJ gati pesë milionë. Nga kjo rrjedh se nuk në asnjë rrethanë një nevojë e përgjithshme për forca pune. Dhe kjo për vite të tëra."
Thelbi i propozimit të Komisionit është se një vend pune, i cili nuk zihet brenda katër javësh, duhet të jetë në dispozicion edhe të forcave të punës që vijnë nga jashtë BE. Pra,personave të gatshëm për emigrim jashtë BE synohet t'u jepen ato vende pune, për të cilat të papunët vendas as që interesohen. Por politikani kristjandemokrat Nazauer e konsideron jo të drejtë afatin prej katër javësh:
"Ka pafundësisht shumë vende pune, të cilat nuk mund të ndërmjetësohen brenda katër javëve. Për këtë mjafton të hedhësh një vështrim në administratën tonë të punës. Dhe nëse ky afat i ngushtë, të cilin Ana Teron i Kusi do ta shkurtoje në tre javë kalon, atëherë në Evropë kemi një emigrant të ri pune."
Edhe nëse socialistja spanjolle do të arrijë të ketë sot sukses në Parlamentin Evropian vota do të ketë thjesht karakter rekomandues. Për çështjet e azilit dhe të emigrimit deri tani vendos këshilli i ministrave të brendshëm të Evropës.