Komisioni i BE-së bën propozime - Këshilli i ministrave të brendshëm diskuton mbi politikën për refugjatët
26 Shkurt 2010Parlamenti evropian në mes të shkurtit i përdori menjëherë të drejtat e tij të reja të parashikuara në marrëveshjen e Lisbonës. Deputetët rrëzuan një marrëveshje me SHBA-në për përcjelljen e të dhënave bankare, të ashtuquajturën marrëveshje SWIFT, e cila duhet t'i shërbejë mbrojtjes nga terrorizmi. Parlamenti kishte dyshime sa i takon mbrojtjes së të dhënave dhe nuhati spiunazh industrial nga amerikanët. Kështu parlamenti u pozicionua kundër shteteve anëtare, shumica e të cilëve e donin marrëveshjen. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maizière, pati argumentuar se një marrëveshje me mangësi është më mirë se asgjë. Tani ai kërkon një marrëveshje të re por me ndryshime:
"Së pari, duhen vënë në dispozicion më pak të dhëna dhe duhet përcaktuar saktë se cilat të dhëna do të jenë më pak. Së dyti, duhet të bëhet një përshkrim i qartë i qëllimit për të cilin përdoren të dhënat edhe në SHBA. Së treti, afatet e ruajtjes duhet të shkurtohen dhe duhet të ketë rregulla për shuarjen e të dhënave. Së katërti, ne kemi nevojë për një mundësi ankimimi për qytetarët evropianë, nëse është e mundur një mbrojtje juridike në rrugë gjyqësore."
Tani BE-ja do të përpiqet të gjejë një kompromis me palën amerikane.
Tema tjetër e rëndësishme e ministrave të brendshëm ishte luftimi i migracionit të paligjshëm. Të prekur janë para së gjithash vendet e Mesdheut. Ata prej vitesh kërkojnë më shumë mbështetje evropiane. Për këtë arsye në vitin 2005 u ngrit autoriteti evropian për mbrojtjen e kufirit, Frontex. Por deri tani ai është i dobët pasi është i varur nga kontributet financiare të vendeve anëtare dhe këto shtete e lënë atë shpesh në baltë. Komisarje e re e BE-së për politikën e brendshme, Cecilia Malmström kërkon ta ndryshojë këtë: "Çfarë propozojmë ne? Një mekanizëm të ndryshuar me kontribute të detyrueshme të vendeve anëtare. Ne kemi nevojë për paisje dhe personel."
Por suedezja ndjek një metodë krejt tjetër, integruese siç e quan ajo : ajo synon të nxisë migracionin e ligjshëm. Dhe për dëbimin e refugjatëve të cilët nuk kanë të drejtë pranimi, shtetet anëtare duhet të respektojnë standarde të përbashkëta.
"Do të ketë një kod të detyrueshëm sjelljeje për dëbimet. Në të gjitha aksionet e dëbimit do të jetë i pranishëm edhe një punonjës i një organizate humanitare, për shembull i Kryqit të Kuq, për të siguruar që gjithçka bëhet në mënyrë korrekte dhe sipas konventave ndërkombëtare."
Tema është delikate edhe pasi shtetet anëtare kërkojnë ta mbrojnë këtë fushë nga ndërhyrjet e Komisionit. Edhe ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière, shprehet i përmbajtur për këtë temë: "Forcimin e Frontex-it e mbështesim edhe ne. Por është e drejtë dhe e rëndësishme, që përgjegjësia ligjore por edhe politike për sigurimin e kufirit të mbetet tek shtetet kombëtare. Kështu është aktualisht situata ligjore, por mendoj se kjo është edhe e drejtë politikisht.“
Pra komisarja e BE-së për politikën e brendshme nuk do ta ketë shumë të lehtë t'u marrë nga duart një copëz politike sigurie dhe migracioni vendeve anëtare.
Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani
Redaktoi: Elert Ajazaj