1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Likuidim i centralizuar

Christoph Hassebach/Eliana Xhani11 Korrik 2013

Komisioneri i BE-së Barnier propozon që në të ardhmen Komisioni të vendosë për mbylljen e bankave të falimentuara. Për Berlinin një zhvendosje e tillë kompetencash në Bruksel nuk diskutohet.

https://p.dw.com/p/19690
Michel Barnier -Komisioneri i BE-sëFotografi: Reuters

BE dëshiron që në të ardhmen të mos jenë taksapaguesit ata që duhet të shpëtojnë bankat. Për këtë duhet të ketë një mbikqyrje të përbashkët bankare evropiane, pranë Bankës Qendrore Evropiane (BQE). Kjo mbikqyrje duhet të fillojë nga puna pas një viti. Pak javë më parë, vendet e BE-së ranë dakord se kush duhet të paguajë i pari, kur një bankë falimenton. Fillimisht duhet të paguajnë ata që kanë pjesën më të madhe të kapitalit të bankës. Tani Komisioni propozon edhe një autoritet evropian likuidimi. Ai duhet të urdhërojë në mënyrë qendrore mbylljen e një banke, nëse shpëtimi i saj nuk është më i mundur. Për këtë bankat duhet të kontribuojnë në një fond të përbashkët, i cili sipas përfytyrimit të komisionierit për tregun e brendshëm Michel Barnier, pas dhjetë vjetësh do të ketë një vëllim prej 60 deri 70 miliardë eurosh. Deri tani shpëtimi, mbikqyrja dhe mbyllja e bankavek janë kompetencë e shteteve të veçanta. Kjo gjë i ka çuar në buzë të greminës disa shtete dhe qytetarët e tyre, si Irlandën apo Qipron. Dhe përmes shpëtimit evropian të shteteve, një pjesë e kostove ka kaluar në supet e taksapaguesve të vendeve të tjera. Kjo tani duhet të marrë fund.

Komisioni kërkon të ketë të drejtën e vendimit

Barnier argumentoi kështu gjatë prezantimit të propozimeve të tij të mërkurën (10.07.2013): "Bankat kanë gjithnjë e më pak orientim kombëtar, zhvillojnë gjithnjë e më shumë aktivitete transkombëtare, ndërkohë që autoritetet e mbikqyrjes dhe likuidimit janë kombëtare. Kjo nuk mund të vazhdojë." Komisioneri e përfytyron kështu të ardhmen: një këshill me përfaqësues nga shtetet anëtare, Komisioni dhe BQE, bën propozime për likuidimin. Komisioni pastaj, pas këshillimit me autoritetet kombëtare të mbikqyrjes do të merrte vendimin, ose siç u shpreh Barnier "do të shtypë sustën". Komisioni është më i përshtatshmi për këtë rol, "falë ekspertizës dhe aftësisë së tij për të marrë shpejt vendime dhe për të iniciuar likuidimin". Por një zhvendosje e kompetencave në Bruksel në këto përmasa dhe me shumat e parave për të cilat bëhet fjalë, ndesh në kundërshtim, para së gjithash nga qeveria gjermane.

Laiki Bank Group Zypern
Banka Laiki në QiproFotografi: picture-alliance/dpa

Kush vendos për paratë?

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble tha në këshillin e ministrave të martën (09.07.2013), se propozimit të komisionerit Barnier, i mungon baza ligjore: "Mund të jenë vetëm autoritetet kombëtare të likuidimit dhe ato mund të koordinohen në nivel evropian." Kush dëshëron më shumë integrim duhet të angazhohet ashtu si qeveria gjermane për një ndryshim të marrëveshjeve evropiane, tha Schäuble. Në Parlamentin Evropian, i cili duhet ta miratojë propozimin e Komisionit, ai mbështetet nga deputeti kristiansocial Markus Ferber: "Politikisht është e vështirë të përcillet në opinion që vendimi përfundimtar për shpëtimin apo likuidimin e një banke, do të jetë në dorën e Komisionit të BE-së, i cili do të vendoste në një rast të tillë, edhe për përdorimin e parave të taksapaguesve të vendeve të veçanta." Ky propozim ka shumë gjasa të dështojë edhe në Gjykatën Kushtetuese gjermane. Kolegu kristiandemokrat i Ferber-it, Herbert Reul e quajti madje propozimin e Barnier një "provokacion të panevojshëm".

Vendimet shpesh duhen marrë në fundjavë

Nga ana tjetër janë për shembull liberalët dhe të gjelbrit në Parlamentin Evropian. Kryetari i grupit të liberalëve Guy Verhofstadt është parimisht dakord me "metodën e bashkësisë" dhe shkruan në një deklaratë: "Siç kemi mësuar nga kriza, sistemi i ri duhet të centralizohet, nëse duam të shmangim një vendimmarrje të vonuar dhe të njëanshme. Kjo të kishte si pasojë shpëtime të tjera të shtrenjta bankash." Sven Giegold, zëdhënës për çështje financiare i të gjelbërve, e akuzon qeverinë gjermane: "Se barrikadohet prapa një fasade pretekstesh juridike dhe rrezikon kështu të sjellë një vdekje të mjerë dhe të shtrenjtë, të unionit evropian bankar." Për Deutsche Welle-n Giegold vë në dukje vështirësitë praktike të propozimit të ministri Schäuble, për një rrjet autoritetesh kombëtare likuidimi: "Rrjetet janë të komplikuara. Mbledhje që zgjasin me ditë, derisa të gjithë janë në një mendje. Nuk është e qartë se kush merr në fund një vendim obligues." Çështjet e shpëtimit apo likuidimit të bankave shpesh duhet të sqarohen në fundjavë, para se tregjet të kenë mundësi të reagojnë. Për këtë arsye edhe shpejtësia e vendimmarrjes është e rëndësishme.

EU-Finanzministertreffen Luxemburg Schäuble
Ministri gjerman i Financave, Wolfgang SchäubleFotografi: Reuters

Në fund bëhet fjalë për të njëjtën gjë

Deri tani komisioneri Barnier ka paraqitur vetëm një propozim. Deri në fund të vitit ai do të sqarojë në negociata me këshillin e shteteve anëtare dhe me Parlamentin, se për ç'pjesë të propozimit mund të ketë konsensus. Debati pritet të jetë i fortë. Këtu shtohet edhe diskutimi për shtyllën e tretë të unionit të planifikuar bankar: krahas mbikqyrjes bankare dhe likuidimit është planifikuar edhe një sigurim evropian për depozitat. Gjermania dhe vendet të tjera me pozita të mira financiare kanë të tjera argumente nga ato të Komisionit dhe vendeve më të dobëta. Në të gjitha rastet megjithatë bëhet fjalë për të njëjtën gjë: qeveria gjermane shqetësohet se Gjermanisë mund t'i duhet të përgjigjet për gabime dhe keqadministrim të vendeve të tjera. Pala tjetër thotë se solidariteti është në dobi të të gjithëve dhe e bën Evropën më të fortë. Ky diskutim pritet të vazhdojë gjatë.