1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni i BE-së kërkon të ulë tarifat e SMS

Bernd Riegert15 Korrik 2008

Verën e fundit Komisioni i BE-së arriti të ulë tarifat e telefonimit ndërkufitar me celularë. Meqenëse kjo u pëlqye shumë nga qytetarët e BE-së, Brukseli ka vendosur të ulë edhe tarifat e dërgimit të mesazheve me sms.

https://p.dw.com/p/Ed8F
Fotografi: picture-alliance / KPA

Hapi tjetër që do të ndërmerret është ulja e çmimit të transmetimeve të të dhënave në internet dhe multimedia. Të gjitha këto duhet të bëhen para zhvillimit të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian. Luftëtarët e Evropës kanë nevojë për argumenta të reja pro-evropiane për të bindur qytetarët e lodhur nga Evropa.

Me forcë lufton Komisarja e telekomunikacionit kundër çmimeve të larta për dërgimin e mesazheve me SMS. Firmat e telefonive celulare e urrejnë Viviane Redingun, kurse konsumatorët e duan atë, sepse ajo lufton për përgjysmimin e çmimit të SMS ndërkufitarë, që kapin sot vlerën e 30 deri 40 centëve.

"Autoritetet evropiane që merren me rregullimin e tregut thonë se çmimi i SMS-ve nuk duhet të jetë më i lartë se 11 deri 15 cent. Unë do të luftoj për nivelin më të ulët të çmimit."

Firmat e telefonive celulare patën një vit kohë të reduktojnë vullnetarisht çmimin. Vivian Reding është e indinjuar sepse vetërregullimi i tregut nuk funksionoi. Kështu që tani i ka mbetur asaj të ndërhyjë: "Ata nuk i ulën çmimet. Kjo është në dëm të konsumatorëve, sidomos të konsumatorëve të rinj. Prandaj duhet bërë diçka."

Duke filluar që nga viti 2009 çmimet do të ulen shumë. Para se të zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Evropian u duhet thënë qytetarëve se Evropa bën diçka për qytetarët e saj.

2,5 miliardë herë kanë kaluar SMS-të vitin e kaluar, kufirin e një shteti. Një biznes i fuqishëm. Deri tani shoqëritë e telefonive celularë janë pasuruar pa të drejtë, thotë Viviane Reding: "Struktura e çmimit për SMS tregon se industria ka fitim të pastër 97 përqind, por kjo bëhet në kurriz të konsumtorëve të rinj. Kësaj i duhet dhënë fund."

Komisarja e BE-së kërkon të ulë edhe çmimet për shërbimet mobile në internet. Industria i ka ulur pak çmimet, por ajo mendon se ulja e bërë prej tyre nuk mjafton: "Çmimi mesatar është ulur deri në 3,2 euro për megabyte, megjithatë ka ende çmime që arrijnë deri në 16 euro për megabyte. Këtu ne duhet të krijojmë rrjete sigurie në mënyrë që ata që kthehen nga jashtë atdheut të jenë të detyruar të paguajnë disa mijra euro."

Përveç kësaj Komisioni i BE-së ka marrë nën vëzhgim edhe prodhuesit e tingujve të celularëve dhe shërbimeve të tjera për telefonitë celulare. Faqet e tyre në internet i çojnë përdoruesit në më të shumtën e rasteve atje ku nuk duan të shkojnë, thuhet në një studim.