1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komment: Revolucioni kubanez i Obamës

Astrid Prange De Oliveira18 Dhjetor 2014

Pas mbi 50 vjet marrëdhëniesh të ngrira SHBA dhe Kuba duan të vendosin marrëdhënie diplomatike. Ndryshimi radikal i kursit të presidentit të SHBA-së, Barack Obama, është një hap i vonuar, mendon Astrid Prange.

https://p.dw.com/p/1E6xi
Handschlag Obama Castro
Fotografi: Reuters

Kuba, my love! Eshtë kjo një deklaratë krejt e veçantë dashurie, që i shpreh presidenti i SHBA-së Barack Obama ishullit të Karaibeve. Kjo deklaratë është po aq revolucionare sa edhe relovucioni kubanez dhe po aq paqësore sa edhe predikimi biblik në mal. Duajini armiqtë tuaj, është mesazhi.

Presidenti Barack Obama e ka humbur "armikun" e vjetër komunist. Dhe presidentit të Kubës Raul Castro i është shuar urrejtja ndaj kapitalizmit. Gjatë bisedës së parë telefonike që pas vitit 1961 mes dy presidentëve shumë shpejt të dy krerët e shteteve ranë dakord. Ata duan të rivendosin marrëdhëniet e ngrira që prej asaj kohe dhe të shkëmbejnë sërish ambasadorët.

Eshtë vetëm një çështje kohe, se deri kur do të shfuqizohet edhe embragoja tregtare e SHBA-së ndaj Kubës. Sepse qysh tani fjala "embargo" në fakt përdoret vetëm si një bandazh ideologjik prej përfaqësuesve të vijës së fortë politike, veçanërisht prej republikanëve në Kongresin e SHBA-së, të cilët fundin e sanksioneve e konsiderojnë si një dështim të SHBA-së.

Ndërkohë që shfuqizimi i embargos po vazhdon me ritme të shpejta: Që nga viti 2000 krahas medikamenteve lejohen të eksportohen si ndihma humanitare nga SHBA-ja në Kubë edhe produkte bujqësore si misër, drithëra dhe shpendë.

Flirt me një shtet "të pabesë"

Gjithashtu që nga viti 2011 çdo vit udhëtojnë drejt Kubës rreth 100.000 amerikanë nga SHBA-ja për shkëmbime kulturore dhe shkencore. Janë shfuqizuar gjithashtu edhe kufizimet e udhëtimit për kubanezët në emigracion në SHBA, që duan të vizitojnë të afërmit e tyre në ishull. E sipas njoftimeve të shtypit ushtarakët e të dyja vendeve bashkëpunojnë për mbikqyrjen kufitare përgjatë bregdetit dhe në kufi me bazën e marinës së SHBA-së, Guantanamo.

Deutsche Welle Astrid Prange De Oliveira
Astrid Prange De OliveiraFotografi: DW/P. Henriksen

Tani Obama do të hapë zyrtarisht "një kapitull të ri" në marrëdhëniet me ishullin komunist të Karaibeve dhe do ta heqë Kubën nga lista e vendeve të ashtuquajtura të pabesa, të cilat mbështesin terroristët. Veç kësaj do të shfuqizohet në masë të gjerë edhe ndalimi i udhëtimit për turistët amerikanë në ishullin e Karaibeve.

Embargoja si dashi i kurbanit

Por më shumë se kaq ndërkohë nuk mund të bëhet, sepse për një shfuqizim të plotë të sanksioneve Obamës i nevojitet shumica në Kongres në Uashington. Megjithatë edhe pse këto janë hapa të vegjël - rënia e murit amerikano-kubanez tashmë ka nisur. Zbutja e sanksioneve dhe rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në mënyrë të pakthyeshme i hapin rrugën fundit të embargos.

Shembja e murit në kokë duhej të kishte nisur me kohë. Sepse bllokadës i ka kaluar koha dhe ajo është dëshmuar si pa efekt. Për më tepër vlen të theksohet, që ithtarët e embragos kanë shkaktuar me të efektin e kundërt të asaj që në fakt kanë synuar. Ata u kanë lënë hapësirë pushtetmbajtësve komunistë në Havana që ta përdorin këtë si pretekst për dështimin e tyre në politikën ekonomike. Tani armiqtë e vjetër janë pajtuar në predikimin në mal. Rroftë dashuria mes armiqve!