Konferenca Botërore e Sidës errësohet nga tragjedia e avionit
21 Korrik 2014Të gjithë ishin nisur për të marrë pjesë në konferencën botërore të SIDË-s në Melburnin australian (20-25.07). Lajmi për rrëzimin e avionit MH17 të shoqërisë malajziane i ka shokuar të gjithë të pranishmit, konferenca nisi me një minutë heshtjeje në nderim të viktimave, programi do të respektohet sa më shumë të jetë e mundur nën moton: "Hapa drejt një bote pa Sida". Logoja e konferencës - katër këmbë të sitlizuara me fjongo - simbolizon mirëkuptimin më të madh shkencor, mjekësor dhe social për këtë plagë globale, shprehet Shoqata Botëror e SIDË-s. Të vegjël e të mëdhenj, njerëz të moshave të ndryshme të gjinive të ndryshme janë të prekur nga virusi HIV, por të gjithë bashku përshkojnë të njëjtën udhë - ky është mesazhi i kësaj konference.
Përkujdesje e plotë dhe profesionale
Njerëzit me virusin HIV nuk duhet të diskriminohen dhe të damkosen. Kjo është kërkesa kryesore e konferencës botërore në Australi. Rreth 12.000 pjesëmarrës ishin regjistruar për këtë aktivitet, për t'u informuar dhe shkëmbyer idetë mbi zhvillimet e fundit të shkencës lidhur me HIV dhe sëmundjen e Sidës. Sëmundja agresive ndaj sistemit të imunitetit njerëzor mbetet e pashërueshme. Kështu që në qendër të trajtimit po vihet profilaksia - metodat e parandalimit të saj.
Një temë tjetër që studiuesit diskutojnë në Melburn, është parandalimi që mund t'i bëjë mjekësia përhapjes së virusit në trup. Në programin e konferencës qëndrojnë të ashtuquajturat "profilaksa preekspozitive", të cilat pengojnë një pjesë të madhe të infeksioneve, thotë eksperti i fushës, Prof. Norbert Brockmeyer. "Në të ardhmen do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme se si mund t'i mbrojmë njerëzit nga virusi. Këtu bën pjesë edhe trajtimi i fëmijëve: Si mund të mbrohen ata nga infeksionet, sidomos fëmijët në vendet në zhvillim? Si mund të trajtojmë më mirë nënat? Të gjitha këto janë jo vetëm çështje mjekësore, por edhe sociale, të cilat diskutohen në konferencë dhe për të cilat studiuesit duhet të gjejnë përgjigje."
Suksese dhe dështime
Pak ditë para konferencës botërore të Sidës OKB publikoi shifra të reja: Vetëm vitin e kaluar në të gjithë botën janë infektuar 1,2 milionë njerëz të tjerë me virusin HIV. Numri i njerëzve të vdekur nga sëmundje në rang botëror ka rënë me 200.000 vetë në 1,5 milionë gjithsej - një zhvillim pozitiv, komenton eksperti Brockmeyer.
Një rol të rëndësishëm në luftimin e sëmundjes ka politika dhe qeveritë e vendeve të ndryshme. Ndër të tjera edhe se si zbatohen rregulloret e reja për trajtimin e të sëmurëve me Sida, të cilat Organizata Botërore e Shëndetësisë i publikoi në mes të korrikut. Tema qendrore: diskriminimi dhe keqtrajtimi i grupeve të ndryshme të rrezikuara si homoseksualët, transseksualët, prostitutat apo personat e varur nga droga. Në disa vende këto grupe diskriminohen madje me ligj. Sipas ekspertit Brockmeyer kjo bën që virusit t'i jepen mundësi të mëdha për t'u përhapur.
Deklarata e Melburnit
"Askush të mos mbetet mbrapa" - ky është titulli i deklaratës së Melburnit, e cila u përpilua para fillimit të konferencës - "Fund diskriminimit dhe damkosjes" - kjo është kërkesa kryesore. Konferenca do të bindë qeveritë e vendeve të ndryshme që ta sanksionojnë me ligj trajtimin e barabartë të grupeve të rrezikuara me virusin HIV. "Sa më shumë njerëz të jenë të informuar mbi sëmundjen e Sidës, sa më shumë fushata sqaruese të ketë, aq më shumë do të tregojnë kujdes këto grupe. Sa më shumë të shpërndahen medikamentet antiretrovirale, aq më pak njerëz do të infektohen me këtë virus", kërkon eksperti Norbert Brockmeyer.
Shumë organizata botërore kanë shprehur solidaritetin e tyre me deklaratën e Melburnit, ndër to edhe Fondi Global për luftimin e Sidës, Turbekulozit dhe Malarjes. Megjithatë do të duhet shumë kohë deri tek shpikja e medikamentit shërues të Sidës. Prof Brockmeyer është i bindur: "Megjithatë jemi në rrugën e duhur." Edhe tragjedia e tmerrshme e rrëzimit të avionit në Ukrainën lindore, ku shumë kolegë humbën jetën, do të shërbejë për t'u angazhuar edhe më shumë, ashtu si do të donin edhe viktimat, shprehet i sigurtë eksperti Brockmeyer.