Konferenca e Sigurisë në Mynih
1 Shkurt 2014Në Konferencën e Sigurisë në Mynih të shtunën (01.02) ministri i Jashtëm gjerman, Fran Walter Steinmeier kërkoi një rol më të fuqishëm të Gjermanisë në zgjidhjen e krizave ndërkombëtare. Gjermania është shumë e madhe për ta komentuar nga jashtë politikën botërore, tha Steinmeier në hapje të ditës së dytë të konferencës. Megjithatb misioni ushtarak duhet të mbetet "ultima ratio", pra mjeti i fundit, kur nuk ka pasur efekt asnjë opcion tjetër, theksoi ministri i Jashtëm gjerman. Steinmeier bëri të ditur se ai do të angazhohet për një marrëdhënie më konstruktive dhe bashkëpunuese me Rusinë.
Në konferencën e Mynihut merr pjesë edhe i sapozgjedhuri nga presidenti amerikan Barack Obama si komandant i "United States Cyber", shefi i ri i pritshëm i NSA, pas miratimit në senatin amerikan. Bukur, ja ky është një komunikim i kultivuar mes miqsh, tha në fjalën e tij në Mynih, Michael S. Rogers, komandant i flotës Nr. 10 të forcave amerikane. Toni i kultivuar vazhdoi edhe kur e mori fjalën ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière, por ai ishte më i ftohtë e me fjalë ta qarta. "Ne nuk kemi prova, nuk kemi gjurmë gishtërinjsh, por nga ajo që dëgjojmë, mund të thuhet se ajo që është bërë në kurriz të qytetarëve gjermanë i ka kaluar të gjitha kufijtë", tha ministri i Brendshëm gjerman. Dëmi politik është më i madh se efekti i sigurisë përtej Atlantikut, tha Thomas de Maizière. Tani duhet të vijë një sinjal nga Shtetet e Bashkuara.
Michael S. Rogers e mori përsipër këtë sinjal. Ai e kupton zemërimin e gjermanëve, tha gjenerali dhe premtoi se do të ndihmojë në sqarimin e aferës. "Ne do të flasim për këtë si në një familje, dhe do t'ia dalim." Por edhe qeveria gjermane është spiunuar, tha Thomas de Maizière. Jo, kjo nuk bëhet, u kundërpërgjigj Rogers.
Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière nuk ishte i vetëm. Elmar Brok, krei i komisionit të politikës së jashtme në Parlamentin Europian u shpreh se atmosfera që sundon në Parlamentin Europian është e tillë që le të dyshohet në kurorëzimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Një konfrontim i kultivuar që çoi në përmendjen e interesave të përbashkëta: spiunazh ekonomik, vjedhje të dhënash, lufta kibernetike, sulme terroriste. Të gjitha këto janë kërcënimet e së ardhmes u shprehën shumë nga të ftuarit që morën fjalën në Mynih dhe sukses do të kemi vetëm në rast se funksionon marrëdhënia transatlantike.
Gjermania duhet të marrë më shumë përgjegjësi
Politikanët gjermanë u paraqitën me shumë vetëbesim dhe e bënë të qartë gatishmërinë për një rol të ri në politikën e jashtme gjermane. Që në hapje të konferencës së Mynihut këtë e përmendi edhe presidenti gjerman Joachim Gauck. Ai përmendi ndryshimet globale dhe theksoi se "në kuadër të këtyre ndryshimeve Gjermania mund të vazhdojë më si më parë - por kjo nuk më bind. Mendoj se Gjermania duhet të kontribuojë më shumë si një partner i mirë, me vendosmëri dhe substancialisht."
Norbert Röttgen kreu i komisionit të jashtëm parlamentar në Bundestag në bisedë me Deutsche Wellen e vlerësoi fjalën e presidentit Gauck: " Ai gjeti fjalë të qarta. Mendoj se një president nuk mund të flasë më qartë." Edhe ministrja gjermane e Mbrojtjes von der Leyen u shpreh për një rol më aktiv të Gjermanisë: "Pritja nuk është opcion. Kur ne i kemi mundësitë dhe mjetet, atëherë kemi edhe përgjegjësinë për t'u angazhuar."
Probleme të njohura
Ky është qëllimi. Por se si do të vihet në jetë ai në plan ndërkombëtar dhe në bashkëpunim me partnerët e Gjermanisë, për këtë të ftuarit në Mynih diskutuan gjatë, pa arritur një rezultat. Problemet dihen; refuzimi për të dorëzimin e sovranitetit, apo siç u përmend edhe nga të ftuarit çështja e pazgjidhshme e financimit. Në fund edhe një problem i njohur: kush dhe si do të angazhohet. Vërtet që misionet e përbashkëta ekzistojnë, në konferencë u përmenden misioni i Libisë, ndërhyrja e në Afrikë, misioni i Afganistanit, por ky është vetëm fillimi, u tha në konferencë.
Ministri spanjoll i Mbrojtjes, Pedro Morenes Eulate u shpreh se ka dallime për disa çështje edhe mes vetë partnerëve europianë, si për shembull në zgjidhjen e problemit të refugjatëne që vijnë përmes Detit Mesdhe. Ujdia politike është baza e një bashkëpunimi në fushën e Mbrojtjes, tha ai. Në ditën e parë të konferencës së Mynihut pjesëmarrësit ishin aktivë dhe konstruktivë. Për qëllimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë diskutuesit ishin dakord, por se si do të shkohet drejt realizimit- për këtë ende ka pasiguri.