1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konflikt midis Moskës dhe Këshillit të Evropës

Jegor Vinogradov/ Auron Dodi11 Prill 2014

Veprimtarë rusë të të drejtave të njeriut paralajmërojnë për pasoja të tensioneve midis Rusisë dhe Këshillit të Evropës për krizën e Ukrainës. Për qytetarët rusë mund të vështirësohet mbrojtja e të drejtave në Strasburg.

https://p.dw.com/p/1Bg3W
Këshilli i Evropës, Strasburg
Fotografi: picture-alliance/dpa

Keqësimi i marrëdhënieve midis Moskës dhe Këshillit të Evropës mund të pasqyrohet në bashkëpunimin e Rusisë edhe me struktura të tjera të organizatës, paralajmërojnë veprimtarë të të drejtave të njeriut. Para së gjithash preket Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Kjo gjykatë ka kompetencë mbi të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, të cilat kanë ratifikuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e Të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Bazë.

Për shkak të krizës së Ukrainës, Asambleja Parlamentare e KE u hoqi përkohësisht të drejtën e votës deputetëve rusë. Këtë e vendosi të enjten (10.04.14) në Strasburg Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Në debat, aneksimi i Krimesë u dënua ashpër si shkelje e së drejtës ndërmbëtare. Ky sanksion është në fuqi deri në fund të vitit. Një kërkesë tjetër, për t'i përjashtuar krejtësisht nga KE të 18 deputetët rusë u refuzua.

Shumë rusë kërkojnë ndihmë në Strasburg

Pikërisht nga Rusia vijnë shumica e ankesave në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. "Qytetarët rusë paraqesin rreth 40.000 ankesa në vit. Kjo është një statistikë trishtuese", thotë Valentin Mojsejev, nga "Qendra për Mbështetje juridike Ndërkombëtare" në bisedë me DW. Avokatët e organizatës së të drejtave të njeriut mbrojnë viktima të shkeljes së të drejtave të njeriut para institucioneve ndërkombëtare, midis të tjerash edhe para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas Mojsejevit, avokatëve u duhet të merren më shumë me nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në të bëhet fjalë për mbrojtje të qytetarëve nga tortura dhe arbitrariteti i policisë.

Avokatja e Grupit moskovit të Helsinkit, Irina Sergejeva flet për shumë ankesa në Strasburg të pensionistëve, të cilëve nuk u paguhen të plota pensionet, saqë nuk paguajnë dot shpenzimet shoqëruese të banimit. Gjykatat ruse që më parë kishin mbajtur anën e qeverisë lëshonin pe vetëm pas ndërhyrjes së Strasburgut.

Nga ana tjetër, në shumë raste autoritetet ruse shpesh mjaftohen vetëm me pagimin e dëmshpërblimeve, pa i mënjanuar shkaqet që çonin në shkeljen e të drejtave të njeriut. Veprimtarët e të drejtave të njeriut bëjnë thirrje nga ky shkak që të mos ndërpritet bashkëpunimi i Këshillit të Evropës me Rusinë. Në këtë mënyrë, qytetarët rusë do ta ruajnë edhe shpresën që një ditë Rusia do të bëhet pjesë e vërtetë e Evropës.