130808 Kaukasus EU
14 Gusht 2008As Rusia e as Gjeorgjia nuk kritikohen në deklaratën përfundimtare të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian. BE heq dorë zyrtarisht nga fajësimi i njërës apo palës tjetër. Megjithatë pas dyerve të mbyllura u bënë të qarta qëndrimet kontroversee. Para së gjithash ministrin e jashtëm britanik Miliband e pengojnë, siç u shpreh ai më vonë "veprimet ruse që nuk janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare". Edhe vendet e tjera anëtare janë shprehur në mënyrë kritike, pranoi shefi i diplomacisë gjermane, Frank-Valter Shtajnmajer.
Pa Rusinë nuk arrihet stabiliteti në Kaukaz
Ai vetë tërhoqi vërejtjen që Rusia tani mos të vendoset në hurin e turpit. Për shkak të gjendjes së brishtë në rajon me një armëpushim të pasigurtë duhet të mbahen të hapura të gjitha kanalet. Sipas Shtajnmajerit: "Në fund ne nuk do të arrijmë stabilitet në Kaukaz pa Rusinë dhe kundër Rusisë por vetëm me Rusinë".
Për këtë arsye gjermani Shtajnmajer nuk ka treguar mirëkuptim për idenë britanike që Rusia mos të trajtohet më si anëtare e barabartë e vendeve të G8-ës, pra ndëshkimin e saj. Shtjanmajeri nuk është i pajtimit as për ngrirjen e negociatatve të sapo filluara për një marrëveshje partneriteti me Moskën: "Unë dyshoj që ndërpreja e negociatave për një marrëveshje të tillë apo mosfillimi serioz i tyre do të godiste me të vërtetë Rusinë".
Tani nuk mbetet shumë kohë për diskutime të gjata për shkaqet e luftës së fundit, mendojnë gjermanët. Këtij mendimi i janë bashkangjitur edhe ministra të tjerë të jashtë të Bashkimit Evropian. Por ky diskutim mbi këtë është i pashmangshëm. Megjithatë tani është koha që të forcohet ndihma humanitare dhe të tejkalohet gjendja aktuale në mes të Gjeorgjisë dhe Rusisë.
Kontributi evropian
Evropianët janë po ashtu të gatshëm që të japin kontributin e tyre për stabilizim. Ministri i jashtëm francez, Bernard Kushner u ankua për mungesë të personelit të OSBE-së dhe OKB-së në rajonin e krizës. Edhe Bashkimi Evropian do të ndërhyj drejtpërdrejt: "Ne jemi të vendosur që të veprojmë në vendin e ngjarjes. Komisioni i BE-së dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së Solana janë ngarkuar për të kryer përgatitjet e duhura".
Ndihmë për rindërtim dhe dërgimin e vëzhguesve - ky duket të jetë misioni, për të cilin përgatitet Evropa. Deklaratat se Rusia është e gatshme të pranojë edhe trupa paqësore për disa ministra të jashtëm duket pak e mundur. Shumica e ministrave të jashtëm të BE-së do të jenë edhe javën e ardhshme në Bruksel: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Aleancës Veriatlantike NATO.