1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kongresi Popullor në Kinë & Lindja e Mesme

Vilma Filaj-Ballvora15 Mars 2006

Nga komentet e shtypit të sotëm veçojmë disa zëra lidhur me përfundimin e Kongresit Popullor në Pekin si dhe mbi gjendjen në Lindjen e Mesme.

https://p.dw.com/p/Arqv
Kongresi Popullor përfundoi
Kongresi Popullor përfundoiFotografi: AP

Duke marrë shkas nga mbyllja e Kongresit Popullor në Kinë, gazeta "Handelsblatt" që del në Dyseldorf komenton: "Pas një çerek shekulli plot reforma Kina ka ndryshuar fuqishëm. Eshtë meritë e partisë komuniste që i ka lëshuar disi frenat, duke shmangur ekseset. Por kjo sparkatë mes komunizmit dhe kapitalizmit nuk mund të vazhdojë gjatë. Nëse kasta politike e Kinës do të vazhdojë si deri më sot, aq më shpejt ajo do të provokojë daljen sërish në skenë të atyre shpritrave të së shkuarës, që i shohin me mosbesim zhvillimet kapitaliste. Ende revizionsitët në Kinë vazhdojnë të jenë në minorancë. Por shëmbëllimi nostalgjik i vlerave të Maos duhet të shërbejë si një paralajmërim për udhëheqjen kineze", vëren "Handelsblatt".

E përditshmja e Neubrandenburgut "Nordkurier" shkruan: "Kina ka një plan, thënë më saktë një plan të ri pesëvjeçar. Me këtë fuqia e madhe e fshehtë, por për shumë edhe e frikshme, synon të shkojë më lart. Një rritje vjetore ekonomike me 7,5% qëndron në krye të fletores së detyrave të udhëheqjes kineze. Me një përzierje mes frikës dhe pritjes bota po vëzhgon drejt murit të madh. Këtë vit ekspertët perëndimorë parashikojnë për Kinën një rritje me 9%. Kina shihet pra si një shans dhe si një barrë njëkohësisht. Nga njëra anë shteti me 1,3 miliardë banorë është një ëndërr e vërtetë për ekonominë e eksporteve të vendeve të industrializuara. Nga ana tjetër Pekini rrit buxhetin ushtarak për armatimin me 14%, për të dyshohet që kopjon me zell produktet e teknologjisë së lartë dhe ajo që është më e kryesorja as që ka ndërmend t´i vlerësojë ndonjëherë me seriozitet të drejtat e njeriut", komenton Nordkurier".

Gazeta e Magdeburgut "Volksstimme" i referohet gjendjes së bujqve në Kinë: "Prej çdo qeverie në gati 60 vjetët e epokës komuniste të Kinës bujqit kanë dëgjuar për të miliontën herë, se së shpejti ata do të jenë në gjendje më të mirë. Deri më sot të gjitha kanë mbetur vetëm deklarata. Madje edhe më keq, Mao eksportonte me zell në vitet 50 drithëra, ndërsa fshatarët kinezë vuanin. Tani humnera e dallimeve mes fshatit dhe qytetit në bum të Kinës është thelluar edhe më shumë, ndaj Pekini duhet të veprojë për të parandaluar rebelimin e bujqve. Për ta duhet të ketë lehtësime në tatime, një infrastrukturë më të mirë dhe shkolla. Kjo tingëllon bukur, por udhëheqja komuniste nuk mund të lëvrojë shumë para, sepse ajo bllokon veteveten me aparatin e saj. Kuadrot e vogla të partisë pasurohen pa pikë turpi në kurriz të bujqve. Vetëm nëse i jepet fund kësaj popullsia fshatare mund të ketë një gjendje më të mirë", tërheq vëmendjen "Volksstimme".

Lidhur me gjendjen në Lindjen e Mesme në prag të zgjedhjeve parlamentare në Izrael dhe problemeve me lëvizjen Hamas në territoret palestineze, gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan: "Atmosfera në radhët e palestinezëve është e tensionuar në kulm. Kjo ka të bëjë me stanjacionin në politikën aktuale të Lindjes së Mesme. Në Izrael, tani në prag të zgjedhjeve, askush nuk guxon të dalë me një linjë të qartë për të ardhmen dhe të ndërmarrë inciativën për diçka konstruktive. Por edhe vet palestinezët nuk janë në unanimitet. Presidenti gjithësesi i dobët Mahmud Abaz, pas fitores së Hamasit në zgjedhjet parlamentare është dobësuar edhe më shumë. Tonet radikale, që jehojnë vazhdimisht nga Irani, nuk janë të përshtatshme për të qetësuar atmosferën tek palestinezët. Vetëm mund të shpresojmë, që pas zgjedhjeve në Izrael do të ndërmerren përpjekje që do të inkurajojnë forcat paqedashëse në rajon. Por tani për tani gjendja është turbullt", komenton "Frankfuter Allgemeine Zeitung".

Gazeta e Hanoverit "Neue Presse" analizon: "Si duhet të jetë e ardhmja? Izraeli në zemër të territoreve palestineze me manierat e zakonshme të terrorit shtetëror demonstron muskujt dhe menjëherë pas kësaj në Rripin e Gazës shpërthejnë trazirat. Ndërkohë që e gjithë bota pret që Hamasi palesitnez më në fund të fillojë të qeverisë, ky brez kufitar zhytet në kaos. Le të shpëtojë kush të mundet, kjo është motoja për të huajt në Rripin e Gazës", shkruan "Neue Presse".