1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konkurrenca për ujin

Helle Jeppesen / Eliana Xhani26 Gusht 2012

Në të ashtuquajturën "javë e ujit" të këtij viti, që mbahet në Stokholm nga 26 deri 31 gusht, në qendër janë uji dhe ushqimi. Thatësira e këtij viti në SHBA e bën temën edhe më aktuale.

https://p.dw.com/p/15wmx
Fotografi: dpa

"Uji është thelbësor për jetën. Është zemra e ekonomisë së gjelbër dhe për këtë arsye duhet të flasim për eficiencën e ujit", thekson Kenza Robinson. Ajo është sekretare e OKB-së për ujin dhe punon pranë UNDESA-s, departamentit të OKB-së për çështje ekonomike dhe sociale.

Bujqësia konsumatori më i madh i ujit

Uji është i nevojshëm kudo. Në industrinë energjetike fuqia e ujit konsiderohet si formë e pastër dhe e ripërtëritshme energjie. Industria ka nevojë për sasi të mëdha uji në prodhim: për prodhimin e një mikroçipi që ndodhet në një kompjuter janë të nevojshme rreth 32 litra ujë, ndërsa për prodhimin e një makine rreth 400.000 litra.

Fushë me misra në Ilinois, SHBA
Thatësira e këtij viti në SHBA kërcënon të shkaktojë krizë globale për produktet ushqimoreFotografi: dapd

Por konsumatori më i madh i ujit është bujqësia. Ajo përdor sot rreth 70 për qind të rezervave globale të ujit, jo vetëm për të ushqyer njerëzit por edhe për të përmbushur kërkesën në rritje për të ashtuquajturat bio-karburante dhe për të prodhuar ushqimin për kafshët. Meqenëse burimet globale të ujit riciklohen vazhdimisht në planet, nuk ka burime shtesë.

"Uji nuk konsumohet, në planet mbetet gjithnjë e njëjta sasi uji. Edhe sasia e ujit të ëmbël nuk reduktohet. Pyetja është se sa i përdorshëm është ky ujë", thekson Benedikt Haerlin nga fondacioni "Bujqësia". Një bujqësi me orientim afatgjatë mund të kontribuojë pozitivisht ose negativisht në ciklin e qarkullimit të planitetit: "Vendimtare është se si e mbajmë ujin në tokë dhe në bimë në të gjithë ekosistemin, përpara se të avullojë dhe cikli të nisë nga e para", thotë gazetari dhe eksperti i bujqësisë, njëkohësisht anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për të ardhmen e Ushqimit.

Heqje dorë nga monokulturat

Benedikt Haerlin nga fondacioni "Zukunftsstiftung Landwirtschaft"
Benedikt Haerlin nga fondacioni "Zukunftsstiftung Landwirtschaft"Fotografi: Katharina Körner

Me një tokë të shëndetshme dhe një bujqësi me orientim afatgjatë, mund të ushqehet në mënyrë të shëndetshme popullsia në rritje e globit, thotë Haerlin. Orientim afatgjatë do të thotë që në llogaritje të përfshihet edhe i ashtuquajturi "ujë virtual". Ky është uji që gjendet në çdo produkt dhe që në formë të padukshme eksportohet edhe në produktet bujqësore. Kështu për shembull në një vend të thatë si Somalia nevojiten 18.000 litra ujë për të prodhuar një kilogram grurë, ndërsa në Sllovaki për të njëjtën sasi gruri nevojiten vetëm 465 litra. Për këtë arsye sipas Benedikt Haerlin në radhë të parë është e nevojshme që prodhimi i produkteve ushqimore t'i përshtatet sasisë së ujit në dispozicion.

Nëse kjo respektohet sipas Haerlin-it do të hiqej dorë nga monokulturat, të cilat kanë efekt negativ në sistemin global të qarkullimit të ujit. Në një monokulturë në tokë ruhet vetëm pak ujë në krahasim me kulturat e përziera. Shumë monokultura duhet të ujiten në mënyrë artificiale.

Uji nuk është si burimet e tjera

Para së gjithash, thotë Kenza Robin nga OKB, në sjelljen me ujin duhet të mendojmë në mënyrë shumë më largpamëse se në sjelljen me burimet e tjera, si për shembull nafta.

"Uji është jetë për këtë arsye nuk mund të krahasohet me lëndët djegëse fosile. Uji është një e drejtë humane. Pa ujë ne nuk mund të jetojmë, planeti nuk mund të jetojë. Uji është mbi të gjitha burimet e tjera. Ai ka një rëndësi të veçantë dhe për këtë arsye duhet ta trajtojmë në mënyrë globale dhe jo në sektorë të veçantë", thotë Robinson.