Kopa: fëmijët e emigrantëve të marrin nënshtetësinë greke
18 Dhjetor 2008Marilena Kopa (Koppa) është anëtare e Organit Koordinues të partisë opozitare PASOK dhe eurodeputete e socialistëve grekë
Zonja Koppa, si e përjeton një politikane greke si ju, që u qëndron në krahë emigrantëve, Ditën Ndërkombëtare të Emigracionit?
Kjo ditë duhet të na kujtojë detyrimet tona si vend pritjeje, ashtu si të gjitha vendeve të tjera evropiane, përkundrejt këtyre njerëzve që detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre. Detyrimet që duhet të kemi ndaj tyre dhe fëmijve të tyre, që të mund t'u ofrojmë një kuadër, ku mund të zhvillohen edhe ata, por edhe shoqëria jonë të bëhet më e sigurt.
Fëmijët e emigrantëve që lindin në Greqi apo mësojnë për tre vjet nëpër shkollat greke duhet të marrin nënshtetësinë greke
A nuk përbën ndërkohë një paradoks refuzimi i Greqisë t'u ofrojë nënshtetësinë greke fëmijve të emigrantëve, që mbetet kështu për këtë çështje në bisht të Bashkimit Evropian?
Keni plotësisht të drejtë. PASOK-u këtu e shumë vjet ka thënë së fëmijët e emigrantëve që lindin në Greqi apo mësojnë për tre vjet nëpër shkollat greke duhet të marrin nënshtetësinë greke. Për fat të keq, qeveria nuk e kupton përgjegjësinë e saj përkundrejt këtyre njerëzve dhe le fëmijët në mëshirën e konjukturave dhe situatave, vetëm me një leje qëndrimi afatgjat. Është vërtet turp.
Së bashku me kolegun tuaj Llambrinidi i paraqitet një pyetje-denoncim për çështjen në fjalë Komisionit Evropian. Pse ky hap?
Për ne, për partinë tonë është çështje prioriteti nënshtetësia e fëmijëve që lindin dhe rriten në Greqi. Ndaj dhe me zotin Llambrinidi bëmë këtë lëvizje. Akoma nuk kemi marrë përgjigje nga Komisioni. Besojmë se duhet presion dhe përpjekje nga të gjitha anët që ta bindim qeverinë greke të kuptojë se cili është interesi jo vetëm i emigrantëve, por edhe i vetë shoqërisë greke. Duam fëmijë që të ndihen të integruar dhe të lumtur në vendin ku jetojnë. Është rruga më e mirë për paqen sociale të të gjithëve.
Do të ishte gabim që të dënojmë emigrantët për trazirat në Greqi
Shumë u befasuan dhe pak, për fat të mirë, u irrituan nga pjesëmarrja edhe e emigrantëve në trazirat e fundit. Mendimi i partisë suaj?
Do të ishte gabim që të vendosim tabela dhe të dënojmë emigrantët për ngjarjet. Ishte një trazirë sociale e zgjeruar. Të gjithë morën pjesë. Shënjestrimi i emigrantëve është një gabim i madh. Gjëja më e mirë që na mbetet të bëjmë është të kuptojmë pse rinia, pse fëmijët kanë dalë nëpër rrugë dhe pse shoqëria arriti në një gjendje të tillë. Kjo është metoda e saktë për të përballuar atë që jetuam dhe vazhdojmë të jetojmë në Greqi. Jo të akuzojmë emigrantët.
(AUD)